Bekim Sejdiu është emri që po përflitet si kandidat i mundshëm për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Sipas raportimeve, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, janë pajtuar në parim që ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të jetë kandidat për president.
Kurti dhe Abdixhiku janë takuar disa herë gjatë ditëve të fundit, ndërsa bisedimet janë përqendruar në zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.
Sejdiu ka lindur në vitin 1974 dhe ka një karrierë të gjatë në drejtësi, diplomaci dhe akademi. Ai shërbeu si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga prilli i vitit 2015 deri më 2021, kur dha dorëheqje.
Por kush është Bekim Sejdiu?
Gjatë mandatit në Kushtetuese, ai ishte gjyqtar raportues në disa raste me rëndësi politike, përfshirë vendimin e vitit 2020 që çoi në rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti.
Para emërimit në Gjykatën Kushtetuese, Sejdiu shërbeu si ambasador i Kosovës në Turqi nga viti 2008 deri më 2012 dhe si konsull i përgjithshëm në Nju-Jork nga viti 2012 deri më 2014.
Ai ka qenë edhe këshilltar politik në kabinetin e ministrit të parë të Punëve të Jashtme të Kosovës.
Sejdiu është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron që nga viti 2002. Studimet juridike i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa ka kryer studime pasuniversitare në marrëdhënie ndërkombëtare, demokraci dhe të drejta të njeriut. Ai ka doktoruar në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


