Tuesday, September 1, 2026
spot_img
HomeLajmePrindërit ankohen për çmimin e transportit Prizren–Zhur, kërkojnë kontrolle për lëshimin e...

Prindërit ankohen për çmimin e transportit Prizren–Zhur, kërkojnë kontrolle për lëshimin e kuponëve

Një grup prindërish dhe qytetarësh kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me çmimin e transportit me autobus në relacionin Prizren–Zhur, duke kërkuar ndërhyrjen e ministrisë përkatëse dhe institucioneve kompetente, raporton Gazeta Sinjali.

Në sinjalizimin e dërguar në redaksinë e Sinjalit, ata thonë se për relacionin Prizren–Zhur, i cili është i gjatë rreth 11 kilometra, çmimi i biletës është 1.50 euro. Sipas tyre, i njëjti çmim aplikohet edhe për relacionin Prizren–Bresanë, ndonëse distanca është rreth 40 kilometra.

Prindërit e konsiderojnë këtë situatë të padrejtë dhe të papërballueshme, veçanërisht për familjet që kanë dy ose më shumë fëmijë të cilët vijojnë shkollën e mesme në Prizren.

“Për një distancë prej rreth 11 kilometrash, çmimi i biletës është 1.50 euro, ndërsa në relacionin Prizren–Bresanë, që është rreth 40 kilometra, çmimi është po ashtu 1.50 euro. Kjo situatë na duket e padrejtë dhe e papërballueshme për shumë familje”, thuhet në sinjalizim.

Përveç çmimit të transportit, prindërit kanë ngritur shqetësime edhe për mënyrën e lëshimit të biletave apo kuponëve fiskalë në autobusë.

Sipas pretendimeve të tyre, edhe në rastet kur autobusët janë të mbushur me nxënës, shpesh lëshohen vetëm dy ose tre kuponë. Për këtë arsye, ata kërkojnë nga Administrata Tatimore dhe institucionet e tjera përgjegjëse që ta verifikojnë situatën dhe, nëse konstatohen shkelje, të ndërmarrin masat e nevojshme.

“Çmimet e transportit janë bërë një barrë e madhe për familjet. Për prindërit që duhet të paguajnë transportin çdo ditë për dy fëmijë që shkollohen në Prizren, kjo përbën një shpenzim të konsiderueshëm mujor”, thuhet më tej.

Prindërit u kanë bërë thirrje institucioneve kompetente që të jenë më aktive, t’i verifikojnë çmimet dhe mënyrën e funksionimit të transportit publik, si dhe të marrin masa konkrete në interes të qytetarëve, veçanërisht të nxënësve.

Ata kanë paralajmëruar se, nëse çështja nuk merr vëmendjen e duhur, do të vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje dhe realizimin e të drejtave të tyre përmes mekanizmave dhe formave ligjore.

“Shpresojmë që kjo ankesë, e cila përfaqëson shqetësimin e disa prindërve, të merret seriozisht dhe të trajtohet në mënyrë institucionale. Besojmë se përmes bashkëpunimit me institucionet mund të gjendet një zgjidhje e drejtë dhe e përballueshme për familjet”, thuhet ndër të tjera në sinjalizimin e dërguar në redaksinë e Gazetës Sinjali.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT