Portieri i Republikës së Irlandës, Gavin Bazunu, ka konfirmuar se nuk do të luajë në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Izraelit, duke e lidhur vendimin me bindjet e tij personale.
Në një deklaratë të publikuar në Instagram, 24-vjeçari ka thënë se vendimi nuk ka qenë i lehtë, por se si person fetar dhe me parime, beson se do të ishte e gabuar të luante në këto përballje.
“Përfaqësimi i vendit tim do të thotë gjithçka për mua. Kam respekt të jashtëzakonshëm për secilin prej bashkëlojtarëve të mi, trajnerin, stafin e tij dhe popullin irlandez”, ka shkruar Bazunu.
Ai ka theksuar se vendimi i tij lidhet me kundërshtimin ndaj vrasjes së njerëzve të pafajshëm dhe jo me popullin izraelit apo komunitetin hebre.
“Qëndrimi im nuk është kundër popullit të Izraelit apo komunitetit hebre, por kundër mizorive që po ndodhin në atë rajon”, ka deklaruar portieri.
Ndeshja e parë mes Izraelit dhe Republikës së Irlandës do të zhvillohet të dielën, më 27 shtator, në Debrecen të Hungarisë, ndërsa sfida e kthimit është planifikuar për 4 tetor në Baçka Topola të Serbisë. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në terrene neutrale.
Më herët, trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, kishte deklaruar se brenda ekipit ka qëndrime të ndryshme lidhur me këto ndeshje dhe se disa futbollistë ndihen të parehatshëm për situatën përreth tyre.
Bazunu, i cili ka debutuar me Republikën e Irlandës në vitin 2021, ka regjistruar 22 paraqitje me fanellën e kombëtares në të gjitha garat.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


