Të paktën 27 persona janë vrarë dhe më shumë se 20 të tjerë janë plagosur në dy raste të ndara me të shtëna me armë në Afrikën e Jugut, njoftoi policia.
Sulmi i parë ndodhi të shtunën rreth orës 21:30 në një tavernë në Wedela, në jugperëndim të Johanesburgut, ku 17 persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën.
Shërbimet e urgjencës konfirmuan se në mesin e viktimave ishin 13 burra dhe katër gra.
Sipas policisë, autorët dyshohet se ishin të armatosur me pushkë AK-47 dhe pistoleta. Ata dyshohet se fillimisht hapën zjarr ndaj klientëve që ndodheshin jashtë tavernës, para se të hynin brenda dhe të vazhdonin të shtënat.
Policia ka nisur kërkimin për tetë të dyshuar, ndërsa deri tani nuk është raportuar për arrestime. Motivi i sulmit mbetet i paqartë.
Në një tjetër incident, në orët e para të së dielës, persona të armatosur vranë të paktën 10 persona dhe plagosën 11 të tjerë në një dyqan në Lwandle, pranë Cape Town.
Të shtënat ndodhën vetëm disa ditë pas një tjetër sulmi me armë në një festë në një shtëpi pranë Durbanit, ku u vranë 11 persona, përfshirë një grua shtatzënë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


