Policia e Kosovës ka nisur veprimet hetimore lidhur me një rast të dyshuar të rrahjes që ka ndodhur në Ferizaj.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar për Gazetën Sinjali se Njësia e Hetimeve në kuadër të Stacionit Policor në Ferizaj është duke punuar për zbardhjen e rastit.
“Zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Ferizaj, konkretisht Njësia e Hetimeve, lidhur me rastin e dyshuar të rrahjes në Ferizaj, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë mbledhjen e informatave dhe ndërmarrjen e procedurave të tjera përkatëse”, ka thënë Veseli.
Ai ka bërë të ditur se veprimet po ndërmerren me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimit e kapjes së personave të përfshirë në rrahje.
“Për informacione shtesë lidhur me këtë rast, do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar Veseli.
Gazeta Sinjali gjatë ditës publikoi pamje nga momenti i përleshjes, të cilat shfaqin disa persona duke u përleshur fizikisht në një lokal në Ferizaj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


