Saturday, May 9, 2026
spot_img
HomeLajmePërgjaken rrugët e Shqipërisë, 3 viktima e 8 të plagosur në një...

Përgjaken rrugët e Shqipërisë, 3 viktima e 8 të plagosur në një ditë

Bilanc tragjik është shënuar këtë të premte në disa aksidente rrugore në Shqipëri, ku kanë mbetur të vdekur 3 persona dhe 8 të tjerë janë plagosur.

Në aksin Elbasan–Cërrik, si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, një 28-vjeçar humbi jetën në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i automjetit tjetër, 53 vjeç, mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.

Një tjetër aksident i rëndë u regjistrua në aksin Fushë-Krujë–Milot, pranë Thumanës, ku një automjet tip “Benz” i drejtuar nga një 22-vjeçar nga Borizana u përplas me një “Passat” që drejtohej nga një 73-vjeçar nga Mirdita. Si pasojë, të dy drejtuesit mbetën të plagosur rëndë, ndërsa humbi jetën pasagjerja 65-vjeçare që ndodhej në automjetin e të moshuarit. Nga përplasja e fortë, dy automjetet përfunduan jashtë rrugës, ndërsa u plagos edhe një 40-vjeçare që ndodhej në biznesin e saj pranë vendit të ngjarjes.

Ndërkohë, në Tiranë paradite, një 61-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një kamion në zonën e Kombinatit, teksa lëvizte me motor. Drejtuesi i kamionit është shoqëruar në polici, ndërsa i lënduar ka mbetur edhe një efektiv policie jashtë detyrës.

Aksidente rrugore janë shënuar edhe në aksin Korçë–Pogradec, ku mbetën të lënduar dy persona, si dhe në Lezhë–Milot, ku një 24-vjeçar ka mbetur i plagosur.

Një tjetër aksident është regjistruar pranë “Librit Universitar” në Tiranë, ku një automjet tip “Benz” doli nga rruga dhe përfundoi në trotuar. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, ndërsa drejtuesi i mjetit është ndëshkuar me gjobë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT