Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar të akuzuarin J.M. me pesë vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë, pasi është shpallur fajtor për veprën penale “Mashtrimi”, raporton Gazeta Sinjali.
Aktgjykimi dënues është shpallur nga gjyqtarja Qëndresa Tahiri-Islami, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave.
Sipas njoftimit të Gjykatës, dënimi me burgim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, ndërsa gjobën prej 1,500 eurosh, i akuzuari obligohet ta paguajë brenda 90 ditësh.
Në rast se gjoba nuk paguhet brenda afatit të caktuar, ajo do të zëvendësohet me burgim, duke u llogaritur një ditë burg për çdo 20 euro të papaguara.
Sinjali kishte raportuar në mars të vitit 2024 për arrestimin e J.M., i cili dyshohej se, në periudha të ndryshme nga viti 2021 deri në korrik të vitit 2023, kishte mashtruar qytetarë të ndryshëm me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.
Sipas Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, vlera e përfitimit të dyshuar nga mashtrimi ishte rreth 2 milionë euro.
J.M. akuzohej për veprën penale “Mashtrimi”, nga neni 323, paragrafi 4, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Të dëmtuarit janë udhëzuar që kërkesat pasurore-juridike t’i realizojnë në kontest të rregullt juridiko-civil.
Kundër aktgjykimit, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Mitrovicë, brenda afatit ligjor.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


