Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka tentuar të arsyetohet për Nenin 31 të Ligjit të ri për Shtetësinë duke thënë se ai nuk përbën një risi ligjore.
Sveçla në një konferencë për media tha se ky nen është pjesë e dispozitave themelore që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nga Paketa e Ahtisaarit.
Ai ka theksuar se kjo e drejtë ekziston prej kohësh në kuadrin kushtetues dhe nuk është vendosur për herë të parë nga legjislacioni aktual.
“Ky nen është pjesë e dispozitave themelore të Kushtetutës së Kosovës që derivon nga Pakoja e Aktisariit”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, dispozita që parasheh njohjen e së drejtës së shtetësisë për qytetarët e ish-Jugosllavisë që kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më 1 janar 1998, si dhe për pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë, nuk është krijuar nga qeveria aktuale, por është e trashëguar nga dokumentet themelore kushtetuese të vendit transmeton Klankosova.tv.
“Kjo e drejtë e cila parasheh që Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që e posedojnë të gjithë qytetarëve të Jugosllavisë të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më 1 janar 1998 si dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë buron nga propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës i njohur si Pakoja e Ahtisarit”, është shprehur ai.
Sveçla duke u përpjekur t’ia hedh “topin” opozitës tha se edhe në vitin 2012, gjatë ndryshimeve kushtetuese, sipas tij kjo dispozitë nuk është hequr, por është bartur në pjesën themelore të Kushtetutës nga përfaqësuesit politikë të kohës.
Ai ka theksuar se kritikat aktuale të opozitës, sipas tij, nuk qëndrojnë pasi burimi i kësaj dispozite është i njohur dhe i mëhershëm.
“Pra në thelb ajo që opozita sot po e kritikon, e ka burimin pikërisht këtu”, ka potencuar Sveçla.


