Wednesday, September 30, 2026
spot_img
HomeLajmePDK vendos kusht: Nuk marrim pjesë në komisione pa u proceduar ndryshimet...

PDK vendos kusht: Nuk marrim pjesë në komisione pa u proceduar ndryshimet në Ligjin për Specialen

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka lëshuar mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, në shenjë kundërshtimi ndaj mosprocedimit të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, pas largimit nga mbledhja ka mbajtur një konferencë për media, ku ka deklaruar se partia e saj nuk do të bëhet pengesë për funksionalitetin e institucioneve, por nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare pa u proceduar projektligji për Dhomat e Specializuara.

“Sot si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës morëm pjesë në komisionet parlamentare dhe dëshmuam edhe një herë atë që nuk mund të ketë prioritet më të rëndësishëm sot sesa sjellja e ligjit për Dhomat e Specializuara. Pra, si PDK, konsiderojmë se e kemi dëshmuar me veprime se nuk bëhemi pengesë për funksionalitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Mirëpo, ajo çka është krejtësisht e padrejtë është që të simulojmë normalitet për mbarëvajtje çështjesh të cilat kërkojnë veprim urgjent nga shteti”, ka thënë ajo.

Deliu-Kodra ka theksuar se për PDK-në, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të jetë prioritet jo vetëm i kësaj partie, por edhe i subjekteve të tjera politike.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, në funksion të mbrojtjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet të jetë prioritet mbi prioritetet. Konsiderojmë që ky duhet të jetë prioritet edhe për të gjitha partitë politike”, ka deklaruar Deliu-Kodra.

Ajo ka kritikuar Qeverinë për mospërfshirjen e këtij projektligji në rendin e ditës, duke theksuar se, pavarësisht vonesave për këtë çështje, në Kuvend janë proceduar një numër i madh projektligjesh me procedura të përshpejtuara.

“Sot në Kuvend, të nderuar përfaqësues të mediave, janë sjellë një numër i madh i projektligjeve me procedura të përshpejtuara, ndërkohë që qeveria i ka diskutuar 45 pika të rendit të ditës. Në Komisionin për Legjislacion, të cilin sapo e lëshuam, duke e thënë qartësisht që nuk do të jemi në komisione pa u sjellë ligji për Dhomat e Specializuara, sot janë sjellë gjashtë projektligje me procedura të përshpejtuara. Dje deputetët i kanë marrë materialet për këto projektligje, ndërkohë pa mbërritur që të diskutohen, të trajtohen, gjashtë projektligje sillen në rend dite në ditën kur nevojë imediate do të duhej të ishte sjellja e ligjit për Dhomat e Specializuara. Pra, projektligji për Dhomat e Specializuara fatkeqësisht vazhdon ende të mbetet në sirtarët e qeverisë”, është shprehur ajo.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT