Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë mbledhur në objektin e Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që seanca për konstituimin e Kuvendit të mbahet sonte në orën 22:30.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të marrë pjesë në seancë dhe të vazhdojë procesi i konstituimit të institucioneve.
Çitaku ka thënë se PDK-ja nuk do të bëhet pjesë e asaj që ajo e ka cilësuar si përmbysje të rendit kushtetues.
“Kur flasim për Kushtetutën, shumë mund të nënkuptojnë vetëm një libër, një copë libër. Por ajo Kushtetutë nënkupton gjak, djersë, mund e sakrificë. Një gjë mund t’ju them me siguri të plotë: PDK-ja nuk do të bëhet pjesë e përmbysjes së rendit kushtetues”, deklaroi ajo.
Një thirrje të ngjashme ndaj Lëvizjes Vetëvendosje e ka bërë edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.
Në një konferencë për media nga oborri i Kuvendit, Lushaku-Sadriu tha se deputetët kanë obligim që ta konstituojnë Legjislaturën e 11-të dhe t’i mundësojnë vendit funksionalizimin e institucioneve.
“Dola këtu për t’i bërë një ftesë publike subjektit më të madh të Kuvendit të Kosovës që ta thërrasë seancën, ose vazhdimin e seancës konstituive, me qëllim që Kuvendi i Kosovës të konstituohet sonte, brenda afateve kushtetuese”, tha ajo.
Ajo e ka cilësuar si të papranueshme që Kuvendi të mbetet i pakonstituuar, duke thënë se kjo situatë po cenon funksionalitetin e institucioneve dhe ushtrimin e mandatit të deputetëve.
“Vërtet është për keqardhje që institucioni më i lartë legjislativ në vend sillet në një pozitë të tillë, ku sfidohen edhe kushtetutshmëria edhe funksionaliteti, si dhe pamundësohet puna e deputetëve, për çka kemi marrë legjitimitet për t’i përfaqësuar qytetarët në institucionin më të lartë të Republikës”.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të rendit kushtetues, duke thënë se veprimet e saj po krijojnë një precedent të rrezikshëm për vendin.
“Po shprehim kundërshtimin më të madh me atë që po i ndodh sonte demokracisë parlamentare. Është shkelje e rendit kushtetues nga partia që i ka fituar zgjedhjet, e cila me vendimet e saj po vendos një shembull që, pa asnjë dyshim, është rrezik për vendin. Qëllimi ka qenë bartja e fajit te opozita dhe marrja e tri pozitave nga VV-ja. Nuk do të lejojmë që rendi kushtetues të rrezikohet, që Kosova të bëhet parti-shtet”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se AAK-ja, në koordinim me grupet e tjera parlamentare, ka iniciuar kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme.
“Si grup parlamentar, në diskutim me grupet parlamentare, kemi një kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme që të thirret sonte në orën 22:30, që ne të mblidhemi dhe të kërkojmë prej kryesuesit të seancës ta thërrasë seancën dhe sonte ta kryejmë konstituimin”, ka thënë Tahiri.
Seanca për konstituimin e Kuvendit është thirrur për të shtunën nga kryesuesi i seancës, një ditë pas përfundimit të afatit kushtetues.
Ky veprim i kryesuesit të seancës, i cili i përket Lëvizjes Vetëvendosje, është vlerësuar nga partitë opozitare si në kundërshtim me Kushtetutën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


