Spanja do të vendosë kontrolle kufitare për të gjitha udhëtimet nga Italia, ndërsa përplasja mes dy vendeve anëtare të Bashkimit Evropian po përshkallëzohet.
Masat, të cilat hyjnë në fuqi në mesnatë dhe do të zgjasin një muaj, vijnë një javë pasi Italia vendosi masa të ngjashme pas një fluksi prej rreth 78 mijë migrantësh nga Maroku drejt enklavës spanjolle Ceuta.
Mosmarrëveshja u përshkallëzua të premten, pasi Spanja i kërkoi Italisë që t’i anulonte kufizimet deri të dielën. Kjo nxiti reagimin e Romës, e cila tha se nuk do të pranonte “ultimatume”.
Në vend të kësaj, Italia bëri të ditur se synon t’i mbajë kontrollet kufitare deri të paktën më 15 gusht, pasi sipas saj Spanja “pret një valë të re migrimi” drejt Ceutës.
Spanja nuk ka njoftuar për një valë të dytë të pritshme të kalimeve të migrantëve. Raportimet për një mundësi të tillë janë nxitur nga aktivitetet në rrjetet sociale të disa përdoruesve marokenë që po planifikojnë një tjetër tentativë, raporton El Pais.
Zyra e kryeministrit spanjoll i ka thënë gazetës se situata po monitorohet, por nuk pret një përsëritje të skenave të javës së kaluar.
Kalimet masive të javës së kaluar shënuan një pikë të re të ulët në marrëdhëniet mes kryeministrit socialist të Spanjës, Pedro Sanchez, dhe kryeministres konservatore të Italisë, Giorgia Meloni, e cila prej kohësh kërkon rregulla më të ashpra për migracionin në BE.
Italia, e cila nuk ka kufi tokësor me Spanjën, tha se vendimi i saj për të pezulluar pjesërisht rregullat e zonës pa kufij të Shengenit ishte marrë për të parandaluar që migrantët që kishin hyrë në Ceuta të udhëtonin më pas drejt Italisë.
Madrid e hodhi poshtë këtë argument, duke thënë se ai bazohej në “arsyetime të pabaza” dhe se nuk kishte bazë faktike, pasi migrantët që hynë në Ceuta nuk kishin mundësi të hynin në zonën Shengen. Spanja shtoi se shumica dërrmuese e migrantëve tashmë janë kthyer në Marok.
Në përgjigjen ndaj kërkesës së Spanjës, qeveria italiane tha të premten se nuk kishte ndërmend “në asnjë rrethanë të rishikojë vendimin për pezullimin e zbatimit të Marrëveshjes së Shengenit për shtetasit e vendeve të treta që mbërrijnë nga Spanja, të paktën deri më 15 gusht dhe në çdo rast derisa rreziqet e sigurisë dhe terrorizmit për Italinë të jenë eliminuar plotësisht”.
Masat kundërpërgjigjëse të Madridit, sipas një deklarate të qeverisë spanjolle, janë vendosur si reagim ndaj “presionit të vazhdueshëm të migracionit të parregullt që po përjeton Italia”.
Kontrollet do të qëndrojnë në fuqi deri më 7 shtator, “përveç nëse një ndryshim i rrethanave që çuan në miratimin e tyre kërkon ndryshimin e kësaj periudhe”.
Ende nuk është plotësisht e qartë pse dhjetëra mijëra migrantë tentuan të kalonin drejt Ceutës, por komisioneri i BE-së për Migracionin, Magnus Brunner, ka sugjeruar se rrjetet kriminale që përhapin dezinformim mund të kenë qenë përgjegjëse. Edhe qeveria spanjolle është pajtuar me këtë vlerësim.
Kalimet ndodhën pasi Gjykata Supreme e Spanjës vendosi se migrantët e ndaluar në det gjatë përpjekjeve për të arritur në Ceuta ose Melilla nuk mund të kthehen menjëherë në Marok.
Maroku, nga ana e tij, ia ka atribuar krizën vendimit të gjykatës, duke thënë përmes një burimi qeveritar se “elementi pengues i sistemit u shemb dhe diga u çlirua, jo nga pesha e kriminelëve, por nga vendimi i një gjyqtari”.
Numri i madh i personave që notuan drejt Ceutës në të njëjtën kohë ka ngritur pikëpyetje se pse forcat kufitare marokene nuk u përpoqën t’i ndalonin.
Gati 1 mijë e 400 të mitur, disa prej tyre “djem dhe vajza shumë të vegjël”, ende ndodhen në Ceuta pas kalimeve të javës së kaluar, ka deklaruar të premten ministrja spanjolle për Rininë, Sira Rego.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


