Sunday, August 30, 2026
spot_img
HomeLajmePDK: Kurti po e cenon rendin kushtetues dhe po e bllokon funksionalizimin...

PDK: Kurti po e cenon rendin kushtetues dhe po e bllokon funksionalizimin e shtetit

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po e bllokon funksionalizimin e institucioneve të Kosovës. Tahiri i ka bërë këto deklarime para deputetëve të PDK-së, dhe Aleancës, të cilët janë mbledhur në Kuvend për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.

Tahiri ka thënë se, pavarësisht mbështetjes që Kurti ka marrë në zgjedhje, sipas tij, ai po ndjek skenarë politikë që po e pengojnë funksionalizimin e shtetit.

“Si rezultat i fuqisë së madhe politike që qytetari i Kosovës ia ka dhënë Albin Kurtit, po i shohim skenarët e tij politikë që në vazhdimësi me prodhu situata, të cilat e pengojnë funksionalizimin e shtetit të Kosovës, pavarësisht që ai ka mbërrijt edhe më 28 dhjetor, edhe më 7 qershor me marrë mbështetjen popullore dhe me e fitu pushtetin 100%. Po na po e shohim dhe besoj shumë që janë vetëdijësuar qytetarët e Republikës së Kosovës e më së shumti votuesit e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes që Albin Kurtit nuk po i mjafton pushteti 100%. Ai e do përmbysjen e shtetit.

Po tendenca e tij është me e nënshtruar qytetarin e Kosovës, me e cenu rendin organizativ, pushtetues, ligjor të këtij vendi. Që 24-5 ditë thotë për marrëveshje politike, takohet një herë në javë me Lumir Abdixhikun. Pse nuk po e mbërrin marrëveshjen politike? Pse nuk po e gjejnë kandidatin e përbashkët? Pse nuk po vjen kuvend me funksionalizuar kuvendin, se presidenti që ka me u zgjedh ka me u zgjedh prej këtij kuvendi. Jo prej skenarëve politikë qysh e ve e skutave e duke i u shmangur edhe gazetarëve, duke i nënçmuar edhe qytetarët e Kosovës, më se me i informuar saktë se çka është duke ndodhur.

Ai e din këtë. Ka edhe jurista sot që i tregojnë saktë se është duke e cenu rendin kushtetues direkt. Gjithë ato veprime politike i bën veç për me promovuar pushtet dhe qasje autoritare karshi qytetarëve të Kosovës edhe institucioneve të Kosovës. Na në vazhdimësi jemi këtu, bashë me kolegët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës, po edhe sot e përcjellim mesazhin që kur është në pyetje shteti i Kosovës nuk nënshtrohemi, nuk dorëzohemi dhe jemi këtu, kemi me vazhduar me pasë këtu në kuvendin e Kosovës edhe para qeverisë, nesër edhe në sheshe e në rrugë, Prishtinë dhe gjithandej Kosovës për me e mbrojt shtetin e Kosovës”, tha Tahiri.

Ai ka thënë se për të është e papranueshme që Kurti, të cilin e ka parë më herët duke kundërshtuar institucionet, tash si përfaqësues i popullit, sipas tij, po e cenon rendin kushtetues.

“Po një gjë nuk e kam prit asnjëherë se jam rritë tu e parë Albin Kurtin tu i gjuajtur institucionet e Kosovës me gurë, me zjarr, me molotov e në forma të ndryshme, ndërsa tash si përfaqësues i popullit këtë kuvend po e përjetoj Albin Kurtin duke e cenu rendin kushtetues. Pra generata jonë, gjeneratat e reja nuk e pranojnë këtë qasje edhe këtë manipulim që është duke ia bërë qytetarëve të Kosovës. Në vazhdimësi rrugën e ka bërë duke bërë bllokada, përçarje dhe duke bërë manipulime, ndërsa tash po abuzon, po e keqpërdor votën e qytetarëve të Kosovës për me e bllokuar shtetin dhe për me tentuar me e ndryshuar sistemin organizativ në këtë vend”, tha ai.

Tahiri është shprehur i bindur se kjo qasje nuk do të ketë sukses, duke përmendur edhe kundërshtimin që, sipas tij, ekziston nga gjeneratat e reja dhe nga pjesëtarë të UÇK-së.

“I bindur jam që nuk ka me mundur, sepse as nuk gjenerata e re nuk e pranon këtë, po nuk e pranon as gjenerata e ushtrisë çlirimtare të Kosovës që një pjesë e madhe e tyre i kanë mbrojtur bashkëluftëtarët e vet, një pjesë e madhe e tyre që janë edhe në kuvend të Kosovës sot këtu deputetë i kanë plagët dhe cylypat e granatave ende në trup. Andaj kjo tendencë e tij për me e cenu rendin kushtetues edhe për me sfiduar shtetin e Kosovës është tendencë e gabuar e cila do të jetë një humbje e madhe për ta sepse rezistenca edhe e jona si aktor politik, po edhe e qytetarëve të Republikës së Kosovës është duke shkuar dhe duke u rritur secilën ditë gjithandej Kosovës sepse na jemi në komunikim çdo ditë me qytetarët e Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi në komunikim çdo ditë”, tha Tahiri.

Deputeti i zgjedhur i PDK-së ka thënë se qytetarët presin punë, projekte konkrete dhe rezultate, ndërsa ka kërkuar më shumë drejtësi dhe barazi për të rinjtë.

“Qytetarët e Kosovës presin punë, presin projekte konkrete dhe presin rezultate të cilat janë në dobi të tyre sepse na kur dolëm dhe dolëm e promovojmë platforma politike kemi obligim me ardhur këtu dhe me realizuar projekte që i përgjigjen sfidave të kohës dhe nga ana tjetër vizion e përkushtim e punë e angazhim që Kosova me qenë shtet më i fortë, me perspektivë më të madhe dhe me mirëqenie më të plotë. Të rinjtë e Kosovës kërkojnë drejtësi, kërkojnë barazi, madje jo veç kërkojnë, po edhe meritojnë. Nuk mundemi na në 2026-ën me përjetuar pabarazinë nëpër institucione publike, pabarazinë në sektorët tjerë të jetës, nënçmimin, përçarjen, ofendimin, propagandën që 6-7 vjet janë këtu ato që i janë servuar qytetarëve të Republikës së Kosovës prej Albin Kurtit”, shtoi Tahiri.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT