Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është takuar në Prishtinë me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ahmeti ka bërë të ditur se gjatë takimit me Hamzën janë diskutuar sfidat aktuale, zhvillimet e ardhshme dhe rëndësia e bashkëpunimit e koordinimit të vazhdueshëm në interes të Kosovës dhe shqiptarëve në rajon.
“Sot në Prishtinë takova Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z. Bedri Hamza. Biseduam për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, si dhe për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara. Shkëmbyem mendime mbi sfidat aktuale, zhvillimet që na presin dhe rëndësinë e bashkëpunimit e të koordinimit të vazhdueshëm në interes të Kosovës dhe të shqiptarëve në rajon”, shkroi Ahmeti pas takimit me Hamzën.
Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Ahmetin në selinë e Aleancës.
“Sot zhvillova një takim vëllazëror në selinë e Aleancës me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, ku vlerësova lart kontributin e tij në të gjitha proceset nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët në Ballkan që nga vitet ’90, si dhe rolin e tij në forcimin e faktorit politik shqiptar në rajon.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


