Pas një vargu ankesash të qytetarëve për gjendjen e rënduar të rrugës “Ulëza” në lagjen “Hajvalia” të kryeqytetit, duket se problemi më në fund po shkon drejt zgjidhjes.
Kjo rrugë, e cila për një kohë të gjatë ka qenë e paasfaltuar, ka shkaktuar shqetësime të vazhdueshme për banorët e zonës.
Rasti është trajtuar edhe në emisionin “Fol me Arin”, ku qytetarë të shumtë kanë telefonuar për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
Madje, ekipi i emisionit ka realizuar edhe një kronikë nga terreni për të pasqyruar gjendjen reale të rrugës.
Lidhur me këtë çështje, ka reaguar drejtoresha e Investimeve Kapitale në Prishtinë, Zyhrije Pllana, e cila ka bërë të ditur se punimet tashmë kanë nisur ku procesi është duke u zhvilluar sipas planifikimit.
“Punimet kanë filluar dhe janë duke vazhduar sipas planit. Aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së segmentit për asfaltim. Brenda një jave, rruga pritet të përfundojë dhe të jetë e gatshme për qarkullim.” ka thënë ajo. /Klankosova.tv


