Një ditë pas tensioneve dhe përplasjes mes protestuesve dhe rojeve private në Zvërnec, është hequr teli me gjemba që ishte vendosur mbi rrethimin e kantierit ku po zhvillohen punime.
Lëvizja vjen pas reagimeve të shumta publike dhe protestave të qytetarëve, të cilët kundërshtojnë ndërtimet në këtë zonë, duke ngritur shqetësime për çështjet e pronësisë dhe qasjen në hapësirat përreth.
Ndërkohë, incidenti i dhunshëm i së shtunës ka sjellë edhe reagime institucionale. Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, e cilësoi të papranueshme sjelljen e rojeve private, por kritikoi edhe mungesën e reagimit të policisë së pranishme në vendngjarje.
Lidhur me rastin, policia ka arrestuar një roje private, i cili dyshohet se ka goditur një protestues dhe më pas e ka tërhequr me forcë së bashku me persona të tjerë. Ai po hetohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


