Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar po rishqyrton marrëveshjen për t’ia transferuar Mauritiusi-t sovranitetin mbi Ishujt Chagos, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj marrëveshjes.
Streeting ka konfirmuar se marrëveshja nuk mund të ecë përpara pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se tashmë duhet të punohet me administratën amerikane për të gjetur një zgjidhje që mund të mbështetet nga të dyja palët.
“Duhet të punojmë më tej me aleatët tanë amerikanë, me presidentin Trump dhe administratën e tij, për ta sjellë marrëveshjen në një pikë ku ai të mund ta mbështesë atë”, ka thënë Streeting për BBC-në.
Ai ka theksuar se kundërshtimi i Trumpit nuk është i ri, por se deklaratat e tij të fundit kanë bërë të qartë se qëndrimi amerikan ndaj marrëveshjes, në formën e saj aktuale, nuk ka ndryshuar.
Marrëveshja parashikon transferimin e sovranitetit të Ishujve Chagos te Mauritiusi, ndërsa Britania do të ruante qasjen në bazën ushtarake britaniko-amerikane në Diego Garcia përmes një marrëveshjeje afatgjatë qiraje. Baza konsiderohet me rëndësi strategjike për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në Oqeanin Indian.
Sipas marrëveshjes, Britania kishte rënë dakord të paguante rreth 165 milionë funte në vit gjatë tre viteve të para, ndërsa nga viti i katërt pagesa do të ulej në rreth 120 milionë funte në vit. Marrëveshja parashikonte një periudhë 99-vjeçare për funksionimin e bazës në Diego Garcia.
Streeting ka thënë se fokusi kryesor tashmë është sigurimi i një garancie afatgjatë për bazën në Diego Garcia, duke theksuar rëndësinë e saj për sigurinë britanike dhe amerikane.
Presidenti amerikan Donald Trump e kritikoi marrëveshjen gjatë takimit të parë me kryeministrin britanik Andy Burnham, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Trump e cilësoi marrëveshjen si “të tmerrshme” dhe tha se nuk e mbështet atë, duke theksuar rëndësinë strategjike dhe ushtarake të Diego Garcias. Në takim, Burnham pranoi se marrëveshja do të rishikohet.
Pas takimit, Burnham tha se qeveria britanike do të punojë për të gjetur një zgjidhje që mund të pranohet nga palët e përfshira.
Marrëveshja ishte negociuar gjatë qeverisë së ish-kryeministrit Keir Starmer dhe është mbajtur në pauzë që nga prilli, pas mungesës së mbështetjes nga administrata amerikane.
Britania ka argumentuar se marrëveshja është e nevojshme për të garantuar të ardhmen e bazës në Diego Garcia, ndërsa çështja e sovranitetit mbi Ishujt Chagos është kontestuar prej vitesh nga Mauritiusi. Në vitin 2019, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte rekomanduar që Britania t’ia kthente arkipelagun Mauritiusi-t.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


