Friday, April 24, 2026
spot_img
HomeLajmeParaburgim prej 30 ditësh për vëllezërit Gjemollari – mbi 450 gram kokainë,...

Paraburgim prej 30 ditësh për vëllezërit Gjemollari – mbi 450 gram kokainë, armë dhe para të falsifikuara në dosje

Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në Gjykatën Themelore në Prizren, ku është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të dyshuarve për një sërë veprash të rënda penale që lidhen me narkotikë, armë dhe falsifikim parash.

Bëhet fjalë për vëllezërit Ermal Gjemollari dhe Ensar Gjemollari, të cilët dyshohen për përfshirje në blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armëve dhe falsifikim parash.

Ensar Gjemollari
Ermal Gjemollari

Sipas aktvendimit të siguruar, masa e paraburgimit është caktuar nga data 22 prill deri më 22 maj 2026, për shkak të dyshimit të bazuar dhe rrezikut të arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe përsëritjes së veprës penale.

Në dosje përmendet se gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 452 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë në tregun e zi rreth 31 mijë euro. Po ashtu janë gjetur edhe dy armë zjarri, si dhe para të dyshuara të falsifikuara, përfshirë kartëmonedha prej 200 euro.

Gjykata ka vlerësuar se bëhet fjalë për vepra të rënda penale që cenojnë seriozisht shëndetin publik, sidomos të të rinjve, dhe se ekziston rreziku real që të dyshuarit, nëse lihen në liri, mund të ndikojnë në rrjedhën e hetimeve, të fshehin prova apo të bashkëpunojnë me persona të tjerë për t’i shmangur përgjegjësisë penale.

Nga ana tjetër, mbrojtja ka kundërshtuar kërkesën për paraburgim, duke theksuar se nuk janë paraqitur prova konkrete për veprimet individuale të të pandehurve dhe se nuk ekziston rreziku i arratisjes apo ndikimit në prova. Madje, është ngritur dyshimi edhe mbi vetë natyrën e substancës së sekuestruar, nëse ajo është realisht kokainë apo jo.

Megjithatë, gjykata ka konsideruar se në këtë fazë të procedurës, provat e paraqitura dhe pesha e veprave penale janë të mjaftueshme për caktimin e paraburgimit si masë e domosdoshme.

Të pandehurit do të qëndrojnë në paraburgim deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT