Në korrikun e shkuar, ylli botëror i muzikës Dua Lipa shpërndau një seri fotografish nga Palermoja me aktorin Callum Turner, me të cilin sapo ishte fejuar. Secila fotografi rrezatonte dashurinë e tyre, por edhe lidhjen me kryeqytetin sicilian.
Tani kanë nisur spekulimet se çifti mund të martohet pikërisht në këtë qytet këtë verë. E askush s’duket më i lumtur se Alessandro Minonne, pronari i një kafeneje në qendër ku Dua Lipa kishte shkrepur një fotografi.
“Isha i nderuar ta mirëprisja”, ka thënë ai për “The Guardian”, duke e përshkruar Lipën si person “me këmbë në tokë dhe shumë e dashur”.
“Kur dëgjova lajmin për martesën e saj këtu në Palermo, ishte e mrekullueshme. Shpresoj shumë që të vijë sërish në lokalin tim. Edhe nëse nuk e bën, s’ka gjë. Si dikush nga Palermo, thjesht ndjej krenari që një yll botëror ka vendosur të kthehet e madje të martohet këtu”, ka thënë Minonne.
Spekulimet për yllin nga Kosova dolën pasi gazeta “Giornale di Sicilia” pretendoi se kanë nisur përgatitjet për dasmën në një prej hoteleve, ku sipas raportimeve është rezervuar i gjithë hoteli.
Ndërkaq, ekipi i Dua Lipës nuk ka komentuar këto raportime.
30-vjeçarja e ka takuar për herë të parë 36-vjeçarin Turner në Londër më 2023, ndërsa ata u bënë çift një vit më pas. Vizita në Palermo ka bërë bujë, ndërsa qyteti tashmë ka shumë adhurues që mezi e presin dasmën.
“Po, mund ta imagjinoj në fustan të bardhë rrugëve të Palermos”, ka thënë Iole, 13-vjeçare, duke shtuar se qyteti e mirëpret me duar të hapura.
“Mezi presim. Entuziazmi ka mbërritur në qiell: një yll botëror që zgjedh qytetin tënd për të festuar ditën më të rëndësishme të jetës së saj. Si të mos ndihemi të nderuar?”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


