Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve, pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një njoftimi, OVL-UÇK ka bërë të ditur se të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, do të mblidhen para Kuvendit të Kosovës, duke ftuar edhe qytetarët t’u bashkohen.
Organizata ka shprehur pakënaqësi ndaj qasjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për “kalkulime politike” lidhur me këtë çështje.
Sipas OVL-UÇK-së, afati për arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të të dy leximeve të ndryshimeve të ligjit është deri të dielën.
“Veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës u është shterur durimi”, thuhet në reagimin e organizatës.
OVL-UÇK ka paralajmëruar se, nëse deri të dielën nuk arrihet dakordimi, nga e hëna do t’i përshkallëzojë veprimet e saj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


