Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Drenas, kanë ndërprerë bashkëpunimin me Komunën e Drenasit dhe kryetarin e saj, Ramiz Lladrovcin.
Në njoftimin e tyre, OVL, SHFD dhe SHIL në Drenas kanë bërë të ditur se vendimi vjen për shkak të, siç kanë thënë, mungesës së bashkëpunimit institucional nga Komuna dhe kryetari Lladrovci.
Sipas tyre, për vite me radhë nuk janë ftuar në aktivitete dhe mbledhje solemne për data të rëndësishme, përfshirë 17 Shkurtin, 5, 6 dhe 7 Marsin, si dhe 14 Qershorin – Ditën e Çlirimit.
Pas këtij reagimi, është deklaruar edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka thënë se Komuna e ka vlerësuar dhe vazhdon ta vlerësojë kontributin e shoqatave të dala nga lufta.
“Kontributi i shoqatave të dala nga lufta çlirimtare, është vlerësuar nga Komuna e Drenasit. Unë e kam vlerësuar dhe vlerësoj secilën familje të dëshmorëve, martirëve dhe të pagjeturve, ashtu sikur edhe çdo invalid e veteran të UÇK-së”, ka thënë Lladrovci.
Ai ka theksuar se familjarët e dëshmorëve e martirëve, veteranët dhe invalidët e UÇK-së janë pjesë e jetës publike dhe institucionale të komunës.
“Megjithatë, shoqatat janë të ndara nga pushteti lokal, i zgjedhur nga vota e qytetarit”, ka deklaruar Lladrovci, duke shtuar se shoqatat që përfitojnë fonde publike i nënshtrohen procedurave të aplikimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes.
Sipas tij, shoqatat që nuk i respektojnë procedurat nuk kanë të drejtë të përfitojnë fonde publike për një kohë.
Lladrovci ka thënë se i ka ndihmuar dhe përkrahur shoqatat e dala nga lufta, ndërsa ka mohuar se puna e komunës mund të ndikohet nga shoqatat apo individët.
“Shoqatat e dala nga lufta, nuk pres të jenë pjesë e agjendave të ndonjë individi apo grupi. Nuk i nënshtrohem shantazheve e as deklaratave nga fushatat politike”, ka thënë ai.
Kryetari i Drenasit ka shtuar se Komuna ofron zyra falas për shoqatat e dala nga lufta dhe se e përkrah punën e tyre në promovimin e vlerave të luftës dhe mbrojtjen e kësaj kategorie.
“Unë bashkëpunoj dhe ofroj bashkëpunim për të gjitha shoqatat, ndërsa puna ime e bazuar në ligj, nuk mund të ndikohet nga shoqatat e as individët me motive tjera nga ato që publikisht përfaqësojnë”, ka përfunduar Lladrovci.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


