Friday, October 2, 2026
spot_img
HomeLajmeHaradinaj e quan hakmarrje politike shkarkimin e Isufajt: Po i vjen erë...

Haradinaj e quan hakmarrje politike shkarkimin e Isufajt: Po i vjen erë e keqe

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar si “hakmarrje politike” shkarkimin e Blerim Isufajt nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Në një reagim në Facebook, Haradinaj ka kritikuar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke thënë se shkarkimit të Isufajt “po i vjen erë e keqe”.

“Kjo erë ka kundërmuar keq në ditën kur kryeministri e sulmonte kryeprokurorin në foltoren e Parlamentit dhe mbronte të akuzuarit për korrupsion. Askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë. Do të vijë dita që këta që mbrohen përmes shkarkimeve do të përballen me forcën e ligjit. Ky nuk është sundim i ligjit, por hakmarrje e pastër politike ndaj kujtdo që guxon të mbrojë pavarësinë e institucioneve. Kosova nuk do të lejojë që lufta kundër korrupsionit të diktohet nga zyrat e politikës dritëshkurtër!” ka shkruar Haradinaj në Facebook.

KPK-ja e shkarkoi të premten Isufajn nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, duke e arsyetuar vendimin me keqmenaxhim dhe joefikasitet në udhëheqjen e institucionit. Vendimi u mor në një mbledhje të jashtëzakonshme të KPK-së, ku në rend dite ishte performanca e Isufajt.

Isufaj ka qenë prej vitesh në qendër të kritikave politike, ndërsa në maj të këtij viti Prokuroria Speciale kishte reaguar ndaj deklaratave politike kundër tij, duke theksuar se puna e institucionit duhet të bazohet në pavarësi, profesionalizëm dhe paanshmëri.

Blerim Isufaj ishte përzgjedhur nga Këshilli Prokurorial për pozitën e kryeprokurorit të shtetit, por nuk ishte dekretuar nga presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT