Operacionet Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “SOF Week 2026”, një nga ngjarjet më të mëdha globale në fushën e operacioneve speciale, e organizuar nga Komanda e Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USSOCOM) në Tampa të Floridës.
Sipas njoftimit të FSK-së, në këtë konferencë morën pjesë 74 delegacione nga vende partnere dhe aleate, ndërsa delegacioni kosovar zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të komunitetit ndërkombëtar të operacioneve speciale.
Gjatë qëndrimit në SHBA, përfaqësuesit e Operacioneve Speciale të FSK-së u pritën nga Komandanti i USSOCOM, Admirali Frank M. Bradley, si dhe nga Komandanti i Operacioneve Speciale për Evropë (SOCEUR), Gjeneral Lejtnant Richard E. Angle.
FSK vlerësoi se pjesëmarrja në këtë konferencë strategjike dëshmon avancimin profesional dhe rritjen e rolit të Operacioneve Speciale të Kosovës në bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“SOF Week” konsiderohet një platformë e rëndësishme për forcimin e partneriteteve, shkëmbimin e përvojave operacionale dhe zhvillimin e kapaciteteve moderne të operacioneve speciale në nivel global.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


