Wednesday, July 29, 2026
spot_img
HomeLajmeOpenda i jep lamtumirën Juventusit, Lyoni e merr në huazim

Openda i jep lamtumirën Juventusit, Lyoni e merr në huazim

Juventusi ka bërë të ditur zyrtarisht se sulmuesi belg Lois Openda do ta vazhdojë karrierën te Olympique Lyon, në formë huazimi.

Sipas komunikatës së klubit italian, marrëveshja do të zgjasë deri në qershor të vitit 2027. Lyoni do të paguajë 3.5 milionë euro për huazimin e lojtarit, ndërsa kontrata nuk përfshin klauzolë për blerje përfundimtare.

Openda, 26 vjeç, iu bashkua Juventusit verën e kaluar nga RB Leipzig, fillimisht në huazim për 3.25 milionë euro. Më pas, bardhezinjtë ishin të detyruar ta blinin kartonin e tij për 42.75 milionë euro.

Megjithatë, sulmuesi belg nuk arriti të bindte në Torino. Ai realizoi vetëm dy gola në 34 ndeshje zyrtare dhe vetëm në nëntë prej tyre ishte pjesë e formacionit startues.

Në fazën përfundimtare të sezonit, Openda mbeti pothuajse jashtë planeve të trajnerit. Gjatë dy muajve të fundit ai u aktivizua vetëm një herë si zëvendësues, ndërsa pjesën tjetër të kohës e kaloi në bankinë.

Me transferimin te Lyoni, klubi francez do të marrë përsipër pagën e futbollistit, duke i dhënë atij mundësinë të rikthejë nivelin që e karakterizonte në sezonet e mëparshme.

Nga ana tjetër, Juventusi synon që paraqitjet e mira të Opendës në Francë t’ia rrisin sërish vlerën në treg, me objektivin për ta shitur verën e ardhshme në kushte më të favorshme financiare.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT