Tre studiues janë shkarkuar nga OpenAI për keqpërdorim të dyshuar të informacioneve sensitive, përfshirë punë që lidhej me një organizatë të jashtme që analizonte modelet e inteligjencës artificiale.
“Hetimi ynë konfirmoi se këta individë keqpërdorën informacione sensitive jashtë procedurave të përcaktuara nga kompania, duke shkelur politikat tona dhe besimin thelbësor për punën tonë”, tha një zëdhënës i OpenAI për BBC, transmeton Sinjali.
Kompania që qëndron pas ChatGPT nuk bëri të ditur identitetet e të larguarve, por të paktën dy prej tyre ishin të përfshirë në kërkimet për sigurinë e inteligjencës artificiale.
Shkarkimet vijnë në një kohë kur debati për sigurinë e AI-së dhe rreziqet që kjo teknologji mund të paraqesë për njerëzimin është intensifikuar.
“Ne i kemi dhënë fund marrëdhënies së punës me tre individë për shkelje të politikave tona lidhur me qasjen dhe trajtimin e informacioneve sensitive të kompanisë”, tha zëdhënësi i OpenAI.
Shqetësimet për sigurinë e AI-së kanë marrë vëmendje të madhe pasi disa studiues dhe drejtues të industrisë kanë kërkuar vendosjen e më shumë kufizimeve dhe masave mbrojtëse për këtë teknologji.
OpenAI është përballur me një vëmendje të shtuar pas rasteve kur modelet e saj kanë kryer veprime të paautorizuara, përfshirë sulme ndaj disa platformave dhe faqeve të internetit të qeverisë australiane.
Në një incident të ndodhur në korrik, një nga modelet e kompanisë hyri në internet dhe depërtoi në platformën e zhvilluesve me burim të hapur Hugging Face. Pas këtij rasti, OpenAI nisi një rishikim të aktiviteteve të agjentëve të saj të AI-së, të cilët janë krijuar për të kryer detyra në mënyrë autonome bazuar në udhëzime të thjeshta.
Kompania tha këtë javë se ka njoftuar më shumë se 100 organizata për incidente që përfshinin aktivitete të paautorizuara të lidhura me sistemet e saj.
Megjithatë, OpenAI theksoi se njoftimi i këtyre organizatave “nuk do të thotë se është qasur në ndonjë informacion privat” apo se ndonjë sistem është komprometuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


