Dhjetë persona janë lënduar, përfshirë disa fëmijë, pasi një makinë u përplas me një turmë njerëzish që ishin mbledhur për të përshëndetur një ekip regbie të shtunën, kanë bërë të ditur autoritetet australiane.
Dy nga të lënduarit, një vajzë pesëvjeçare dhe një burrë 67-vjeçar, janë në gjendje kritike, ndërsa pjesa tjetër ndodhen në gjendje stabile në spitalin John Hunter, sipas policisë së New South Wales.
Autoritetet kanë bërë të ditur se në mesin e të lënduarve të tjerë janë edhe dy fëmijë, ndërsa të tjerët janë të moshave nga 20 deri në 60 vjeç, raporton Sky News – transmeton Sinjali.
Policia tha se ka arrestuar 18-vjeçarin që po drejtonte automjetin në Newcastle dhe se po heton rrethanat e ngjarjes. Sipas policisë, ndaj tij do të kryhen testet e detyrueshme për drogë dhe alkool.
Autoritetet thanë se ngjarja, e cila ndodhi në një zonë ku ishin mbledhur rreth 1 mijë persona, nuk besohet të ketë lidhje me terrorizmin.
Një duzinë ambulancash dhe tri ambulanca ajrore iu përgjigjën incidentit.
Kryeministri australian Anthony Albanese shkroi në rrjetet sociale: “Mendimet e mia janë me të gjithë ata që u lënduan ose u përfshinë në këtë incident të tmerrshëm këtë mëngjes në Newcastle. Dua të falënderoj dhe të vlerësoj shërbimet emergjente dhe policinë për reagimin e tyre kaq të shpejtë, si dhe punën e tyre të vazhdueshme për trajtimin e të lënduarve.”
Tifozët ishin mbledhur përgjatë rrugëve lokale për t’i dhënë lamtumirën ekipit të regbisë Newcastle Knights, i cili të dielën pritet të luajë në finalen e madhe të National Rugby League në Sydney.
Incidenti ndodhi pikërisht gjatë këtij tubimi.
Kryetari i Newcastle, Gavin Morris, tha në një deklaratë televizive se, sipas asaj që dihej deri atëherë, shoferi kishte humbur kontrollin e automjetit, i cili më pas u përplas me turmën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


