Piloti indian Smit Machchhar ka rrëfyer momentet e frikshme gjatë një fluturimi të Flydubai, pasi u sulmua nga bashkëpiloti teksa avioni po humbiste me shpejtësi lartësi.
Duke folur gjatë një video-thirrjeje me kryeministrin indian Narendra Modi, Machchhar tregoi se ishte i shtrirë në dyshemenë e kabinës dhe po përballej me sulmin e bashkëpilotit, kur kuptoi se avioni po humbiste lartësi.
Ai tha se në atë moment bëri një përpjekje të fundit për të hapur derën e kabinës nga brenda, me qëllim që pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit të mund të hynin dhe ta ndihmonin.
“Po qëndroja i shtrirë në dysheme, i lënduar, por i thashë vetes të bëja edhe një përpjekje të fundit për ta hapur derën nga brenda”, ka treguar piloti, raporton BBC.
Avioni, i cili po fluturonte nga Dubai drejt Tel Avivit, humbi më shumë se 5 mijë metra lartësi rreth dy orë pas nisjes. Pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit arritën ta neutralizonin personin që po sulmonte pilotin, ndërsa avioni u devijua drejt Arabisë Saudite dhe u ul i sigurt.
“Isha duke luftuar për jetën time, por në të njëjtën kohë e dija se nuk do t’i lija të tjerët të vdisnin”, tha Machchhar.
Piloti fillimisht u trajtua në një spital në Tabuk të Arabisë Saudite dhe më pas u transportua në Abu Dhabi. Ambasada e Indisë në Emiratet e Bashkuara Arabe bëri të ditur se ai është në gjendje të mirë dhe po rikuperohet.
Kryeministri indian Narendra Modi e ka vlerësuar guximin dhe vendimmarrjen e shpejtë të pilotit, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar atë “hero të vërtetë”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


