Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-rojtarëve të Njësisë Pyjore Blinaj në Lipjan, R.N. dhe H.D., të cilët dyshohen se nuk i dorëzuan armët zyrtare të gjahut pas përfundimit të marrëdhënies së punës, njëri pas pensionimit e tjetri pas shkarkimit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dy akuzohen, secili veç e veç, për veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 418 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Aktakuza e ngarkon R.N. se gjatë periudhës 2022–2026, në cilësinë e rojtarit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, dyshohet se përvetësoi pasurinë që i ishte besuar për shkak të detyrës. Konkretisht, pas pensionimit, ai nuk e kishte kthyer apo dorëzuar armën zyrtare të gjahut, të modelit “Over/Under”, pronë e Agjencisë.
Ndërkaq, H.D. akuzohet se gjatë periudhës 2019–2026, duke qenë rojtar në të njëjtën njësi, dyshohet se përvetësoi armën zyrtare të gjahut të modelit “Pump Action Shotgun”. Sipas Prokurorisë, ai nuk e dorëzoi armën pas shkarkimit nga puna, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm material Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Prokuroria pretendon se të dy vepruan me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.
Me ngritjen e aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


