Wednesday, July 29, 2026
spot_img
HomeLajmeNjë muaj paraburgim për dy të dyshuarit për krime lufte në Zubin-Potok

Një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për krime lufte në Zubin-Potok

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy personave të dyshuar për krime lufte të kryera gjatë konfliktit në Kosovë, në fshatin Kalludër e Vogël të komunës së Zubin-Potokut.

Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale, e cila po zhvillon hetime për një nga rastet më të rënda të luftës në veri të Kosovës, ku dyshohet për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë në vitin 1999.

Sipas burimeve të Sinjalit, personat e dyshuar janë identifikuar si Momir Jakšić, 80 vjeç, dhe Miljko Biševac, 65 vjeç. Ata dyshohen për përfshirje në ngjarjen e 19 prillit 1999, kur një grup civilësh shqiptarë të paarmatosur, që po lëviznin drejt Malit të Zi, u ndaluan në Kalludër të Vogël nga pjesëtarë të Mbrojtjes Territoriale në kuadër të forcave jugosllave.

Sipas dyshimeve të hetuesisë, civilët fillimisht janë plaçkitur, ndërsa më pas 23 prej tyre janë vrarë dhe trupat e tyre janë varrosur në një lokacion pranë lumit në Kalludër të Vogël.

Pas më shumë se 27 vitesh nga ngjarja, hetimet kanë shënuar një zhvillim të rëndësishëm. Më 27 korrik 2026, hetuesit e Policisë së Kosovës nga sektori për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës kanë lokalizuar një lokacion ku dyshohet se ndodhet varreza masive.

Gjatë ekzaminimeve në terren janë gjetur mbetje eshtërore njerëzore, përfshirë pjesë të kafkës dhe fragmente të tjera skeletore, si dhe pjesë veshjesh që dyshohet se u përkasin viktimave.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës hetimore nuk mund të japë detaje të tjera në këtë fazë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT