Në prag të Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, mbështetja ka ardhur edhe nga dy figurat kryesore të komuniteteve fetare në Kosovë – Myftiu Naim ef. Tërnava dhe Ipeshkvi Dodë Gjergji.
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër” kanë zhvilluar takime me të dy, duke i njoftuar për mobilizimin qytetar dhe aktivitetet e organizuara në prag të marshit.
Myftiu Tërnava ka shprehur mbështetjen për marshin dhe gatishmërinë për të kontribuar në mbarëvajtjen e tij, duke theksuar mesazhin e solidaritetit, unitetit dhe respektit për vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mbështetje ka dhënë edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili ka vlerësuar rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit në mbështetje të vlerave mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës.
Marshi do të jetë në solidaritet me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, si dhe familjet e tyre.
Marshi për Liri mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


