Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka folur për procesin gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar atë si një periudhë të gjatë dhe të rëndë për Kosovën dhe familjet e tyre.
“Ka qenë një kapitull shumë i gjatë, 6 vite të rënda për Kosovën, por veçanërisht vite të rënda për krerët e UÇK që po mbahen në Hagë, për familjet e tyre, për fëmijët që ti i sheh pas disa vitesh që i kanë lënë të vegjël e sot janë të rritur”, tha deputetja në emisionin “Prive Summer” në Klan Kosova.
Deliu ka theksuar edhe peshën që ky proces ka pasur për familjarët e krerëve të UÇK-së.
“Sa shumë vite kanë kaluar dhe sa peshë ka qenë për secilin familjar, veçanërisht për ata. Kanë kaluar një fazë kur nuk kanë pasur mundësi t’iu thonë lamtumirën e fundit edhe prindërve që i kanë humbur”.
Ajo ka thënë se mungesa e tyre është ndier edhe në Kosovë.
“Vite që i kanë munguar Kosovës, por edhe neve shumë”.
Duke folur për angazhimin politik të PDK-së, Deliu ka thënë se beteja politike dhe procesi gjyqësor në Hagë kanë qenë të vështira.
“PDK angazhimin e saj e ka bërë nëpër teh të shpatës sepse një proces shumë i rëndë gjyqësor që ka ndodh në Hagë dhe beteja jonë politike këtu nuk kanë qenë të lehta me u bë”, deklaroi Deliu.
Ajo ka folur edhe për pritjet lidhur me përmbylljen e procesit dhe aktivitetet e PDK-së.
“Pritjet tona janë që të përmbyllet një proces i gjatë më 16 shtator. Nesër nis marshi për Liri, do ta kemi aktivitetin e parë si parti, kur edhe fillon ora së prapthi e cila pritet të marrë kuptim më 16 shtator kur edhe përmbyllet ky proces shumë i rëndë për Kosovën”./Klankosova.tv


