Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi në emisionin “Sol” në Klan Kosova, ka folur për jetën e saj private.
Gjatë intervistës, deputetja u rikthye 10 vjet në kohë, ditën kur i vdiq babai, teksa tha se që nga ai moment është mësuar të jetojë me dhimbje e shpirt të thyer, transmeton Klankosova.tv.
Pos tjerash, ajo tha se jeta të mëson të vazhdosh edhe pa njerëzit më të dashur.
“Me dy prindërit e mi, po në veçanti me babin e kam pasur një lidhje më të fuqishme, ndoshta për faktin që ka qenë mbështetësi im më i madh, jo që e dalloj nga nëna, por që ndoshta nëna, qysh edhe unë vet e kisha bë sot, ka një mendim pak më ndryshe dhe një analizë më ndryshe kur vjen puna tek vendimet në moshën e adoleshencës”, tha deputetja.
“Babi ka besuar në mua që unë mundem me ia dalë, dhe që do të jetë krenar me mu. E kam pasur mbështetësin më të madh në jetën time, edhe pse ndoshta sot i jap më të drejtë nënës, mirëpo babi e ka pasur një besim të jashtëzakonshëm në mua, se çka do që unë kam thanë, e kam argumentuar që vendimi im është i drejtë, babai e ka mbështetur”, u shpreh ajo në Klan Kosova.
Ndër të tjera, Musliu-Shoshi shtoi se është karakter si babai i saj, duke theksuar anën humaniste, sinqeritetin dhe anën shoqërore. /klankosova.tv


