Monday, September 14, 2026
spot_img
HomeLajmeBE-ja flet pas formimit të institucioneve: Gjykata vendos nëse janë në përputhje...

BE-ja flet pas formimit të institucioneve: Gjykata vendos nëse janë në përputhje me Kushtetutën

Bashkimi Evropian është në dijeni të konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së re, por nuk ka dhënë vlerësim nëse këto procese janë zhvilluar në përputhje me Kushtetutën.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se për këtë çështje duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese.

“Jemi në dijeni të votimeve të së dielës, si dhe vendimeve për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Gjithashtu, jemi në dijeni edhe për kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese lidhur me kushtetutshmërinë e këtyre vendimeve. I takon Gjykatës Kushtetuese të shprehet për kërkesën e paraqitur”, tha zëdhënësi.

BE-ja ka theksuar se Kosovës i duhen institucione “plotësisht të konsoliduara” për të çuar përpara reformat dhe për të avancuar në procesin e integrimit evropian.

Reagimi i BE-së vjen pasi të dielën u konstituua Kuvendi dhe, disa orë më vonë, u votua Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti.

PDK-ja nuk mori pjesë në këto procese. Partia më pas iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar masë të përkohshme dhe shqyrtimin e kushtetutshmërisë së konstituimit të Kuvendit.

Ankesa u dorëzua të hënën nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, deputeti Përparim Gruda dhe avokati Faton Fetahu.

PDK-ja pretendon se gjatë konstituimit të Kuvendit është shkelur afati kushtetues prej 30 ditësh, si dhe procedura për thirrjen e seancave çdo 48 orë deri në konstituimin e tij.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve. Ky afat përfundoi më 7 gusht 2026.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT