Një anije cisternë nafte është përfshirë nga flakët pasi u godit nga një “predhë e panjohur” në Detin e Kuq, pranë portit të Yanbusë në Arabinë Saudite.
Agjencia britanike e sigurisë detare UKMTO bëri të ditur se incidenti ndodhi rreth 63 milje detare në perëndim të Yanbusë.
Sipas njoftimit, i gjithë ekuipazhi është në gjendje të mirë dhe deri më tani nuk janë raportuar pasoja mjedisore.
Ndërkohë, kompania britanike e sigurisë detare Vanguard Tech raportoi se cisterna, e cila lundronte nën flamurin e Arabisë Saudite, dyshohet se u godit nga një raketë, duke shkaktuar zjarr në kuvertën kryesore.
Incidenti ndodh në një periudhë tensionesh të larta në rajon, teksa rebelët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë intensifikuar sulmet ndaj anijeve saudite.
Porti i Yanbusë ka marrë një rëndësi të veçantë strategjike për eksportet saudite të naftës, ndërsa tensionet në Detin e Kuq dhe në korridoret kryesore detare kanë rritur shqetësimet për sigurinë e transportit ndërkombëtar të energjisë.
Ngjarja e fundit pritet të shtojë edhe më tej shqetësimet për stabilitetin dhe sigurinë detare në rajon.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


