U ngutën t’ia prenin shiritin, edhe atë në natën e fundvitit, por harruan të bënin diçka esenciale për sigurinë e qytetarëve që kalojnë mbi të.
Bëhet fjalë për urën e Badocit, e cila është pjesë e autostradës së Gjilanit.
Qeveria Kurti, e zënë ngushtë nga fushata elektorale, e përuroi atë para se t’i bënte testimin e sigurisë. 500 mijë euro kushtoi ndërtimi i saj, dhe 6 mijë të tjera do të duheshin për të vërtetuar nëse automjetet që do të kalonin mbi të nuk do të rrezikonin udhëtarët, raporton KIKS Kosova.
Por, këtë detaj e harruan.
Kur mediat e bënë të madhe këtë fakt, zëvendësministri Hysen Durmishi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, pranoi harresën. Madje u arsyetua se testimi iu bë 10 ditë pasi ura u lëshua në qarkullim.
Durmishi, i cili është numri dy i Ministrisë së Infrastrukturës, por që gjatë gjithë mandatit ia kushtoi marrëveshjeve të fshehta e të hapura për ndërtimin e autostradave, deklaroi se ura ishte e sigurt dhe se këtë e dinte pasi, sipas tij, aty ishte vendosur materiali i betonit dhe armaturës.
Megjithatë, fjalëve të Durmishit për armaturën dhe betonin e mirë që u vendos aty nuk i besuan as Policia dhe as Prokuroria e Kosovës, pasi ata nisën hetimet për lëshimin në funksion të kësaj ure pa vërtetim të sigurisë.
Në një përgjigje për Kiksin, ata thanë se kanë intervistuar një person nën dyshim për mbikëqyrje të pandërgjegjshme të trafikut publik.
Sipas burimeve, ky person i intervistuar nga policia është nga kompania kontraktuese.
Ura e Badocit qëndroi e mbyllur për 20 muaj, por lëshimi i saj më në fund nuk u bë siç duhej. /Klankosova.tv
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>


