Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Bojan Jevtiq, ish-zyrtar policor, i dyshuar për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Sipas aktakuzës, Jevtiq dyshohet se gjatë periudhës kohore deri më 17 korrik 2025, në cilësinë e togerit policor, ka mbledhur dhe ka transmetuar dokumente të klasifikuara zyrtare tek pjesëtarë të Shërbimit Inteligjent të Serbisë.
Hetimet pretendojnë se materialet e dërguara kanë pasur të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, duke shkaktuar rrezik për institucionet shtetërore.
I njëjti ishte arrestuar më 17 korrik të vitit të kaluar gjatë një aksioni të autoriteteve, ndërsa rasti tashmë ka kaluar në fazën e gjykimit pas ngritjes së aktakuzës.
Autoritetet theksojnë se veprimet e dyshuara përbëjnë rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe integritetin institucional të vendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


