Wednesday, September 30, 2026
spot_img
HomeLajmeNgritet aktakuzë ndaj 9 personave për kultivimin e kanabisit në plantacionet e...

Ngritet aktakuzë ndaj 9 personave për kultivimin e kanabisit në plantacionet e Kliqinës dhe Sferkës

Gati dy vjet pas aksionit policor në Kliqinë dhe Sferkë të Pejës, ku u zbuluan mijëra bimë kanabis dhe mbi një ton narkotikë, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave, të dyshuar për kultivim dhe veprimtari të tjera të lidhura me narkotikët.

Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për operacionin “VERA 2024”, të zhvilluar më 30 tetor 2025 në Sferkë të Pejës.

Të pandehurit janë Liridon Hajrizaj, Istref Bajrami, Enver Hasani, Erion Etemaj, Eldi Mykaj, Engjellush Ibrahimi, Mirjon Qokli, Klodian Qokli dhe Shkëlqim Xhija.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se gjatë vitit 2024, duke vepruar si anëtarë të një grupi, kanë kultivuar bimë narkotike të llojit kanabis sativa, me qëllim të prodhimit dhe shpërndarjes së narkotikëve.

Në dy parcela në Kliqinë dhe Sferkë, sipas Prokurorisë, janë kultivuar gjithsej 2,850 bimë kanabis sativa, ndërsa prej tyre është siguruar narkotik i llojit kanabis sativa në peshë të përgjithshme prej 1,035 kilogramësh e 712 gramësh.

Bimët dhe narkotikët janë sekuestruar nga Policia e Kosovës më 27 shtator 2024, gjatë zbatimit të urdhërkontrollit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë ndërmarrë veprime për mbjelljen, kultivimin, tërheqjen, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, si dhe për sigurimin e vendeve dhe mjeteve të nevojshme për transportin e tyre.

Njërit prej të pandehurve, sipas Prokurorisë, i ishte premtuar shuma prej 15 mijë eurosh për angazhimin në kultivimin e narkotikëve.

Gjatë hetimeve, ndaj njërit prej të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar edhe 1,540 euro në kartëmonedha të falsifikuara, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim të futjes në qarkullim.

Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, njëri nga të pandehurit akuzohet edhe për veprën penale “Falsifikimi i parasë”, ndërsa një tjetër për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pasi gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë AK-47, së bashku me municion.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT