Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje të re politike për zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar se vendi ka vetëm edhe gjashtë ditë kohë për të shmangur një krizë të re institucionale.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se marrëveshja e mëparshme ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së është shkelur nga gjashtë deputetë të kësaj të fundit, ndërsa theksoi se tani nevojitet një marrëveshje e re për zgjedhjen e presidentit.
Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor 2026.
“Aktgjykimi i Kushtetueses i cili prodhoi një normë të re lidhur me rrjedhjen e afatave për zgjedhjen e presidentit na vë përpara një situate urgjente për veprim. Ne kemi një marrëveshje me LDK-në, por e dimë që ajo u shkel dhe u braktis nga gjashtë deputetë të saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e kryesisë së partisë së tyre”.
Kurti tha se institucionet kanë në dispozicion edhe gjashtë ditë për të arritur një marrëveshje dhe për ta zgjedhur presidentin e ri.
“Para nesh po sot kemi edhe 6 ditë të plota për t’i dhënë vendit president ose presidente të re. Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re dhe zgjedhjes së presidentit, përveç së arritjes së një marrëveshje të re dhe zgjedhja e presidentit është e mundshme, rrjedhimisht zgjedhjet e reja të panevojshme me pasoja të rënda gjithsesi se janë të shmangshme, andaj le të ulemi bashkë”.
Marrëveshja e mëparshme për kandidaturën e Bekim Sejdiut u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke e vështirësuar sigurimin e votave të nevojshme në Kuvend.
Kryeministri tha se dështimi për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
Sipas tij, një proces i tillë nuk do ta zgjidhte drejtpërdrejt çështjen e presidentit, pasi edhe pas zgjedhjeve të reja do të duhej që Kuvendi të zgjidhte kreun e shtetit.
“Zgjedhjet e reja, ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveçse pa Kuvend edhe një herë, këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit. Ndërkaq qeveria do të mbetej në detyrë. Nuk kemi nevojë që të shkojmë pa numër herë në zgjedhje vetëm për të arritur në pikën e njëjtë. Vendit tonë më shumë se kurrë i duhet stabiliteti institucional”, deklaroi Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


