Wednesday, September 30, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Barrikadat në veri, Maksimoviq, Joloviq dhe Vuçiniq deklarohen të pafajshëm

LEX | Barrikadat në veri, Maksimoviq, Joloviq dhe Vuçiniq deklarohen të pafajshëm

Dushan Maksimoviq, Nemanja Joloviq dhe Sërgjan Vuçiniq janë deklaruar të pafajshëm në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin që lidhet me vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022, raporton Gazeta Sinjali.

Tre të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për akuzat që u ngarkohen nga Prokuroria Speciale. Rasti trajtohet në Departamentin Special nga gjyqtari Rrahman Beqiri.

Prokuroria pretendon se, nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, të akuzuarit kanë marrë pjesë në bllokimin e rrugëve në veri, duke penguar institucionet e Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas aktakuzës, për barrikadimin e rrugëve janë përdorur kamionë me zhavorr, ekskavatorë, autobusë dhe automjete të tjera. Prokuroria pretendon gjithashtu se grupi kishte përgatitur pozicione të improvizuara luftarake dhe ishte i gatshëm të sulmonte policinë në rast të ndërhyrjes për largimin e barrikadave. Këto mbeten pretendime të organit të akuzës.

Aktakuza e ngritur më 10 qershor 2026 fillimisht përfshinte gjashtë persona: Dushan Maksimoviqin, Millosh Radosavljeviqin, Nemanja Joloviqin, Dushan Dobracin, Sërgjan Vuçiniqin dhe Nenad Orloviqin. Rasti përfshin akuzat për bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim sulmin kundër rendit kushtetues dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Ndaj Radosavljeviqit dhe Dobracit, procedura ishte veçuar më 31 gusht, pasi kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë. Ndërkaq, seanca e 17 shtatorit kishte dështuar për shkak të mungesës së dy avokatëve mbrojtës, të cilët ishin gjobitur me nga 500 euro.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT