Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në Gjakovë, ku një 49-vjeçar është gjetur pa shenja jete, ndërsa dyshimet e para janë se ai ka kryer vetëvrasje me armë zjarri, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është B. H,49 vjeçar.
Rasti është zbuluar sot, më 4 shtator, rreth orës 12:15, në rrugën “Rrustem Berisha”, pasi një familjar kishte shkuar për ta vizituar tani të ndjerin.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, familjari kishte deklaruar se kontaktin e fundit me të e kishte pasur më 2 shtator, rreth orës 17:00.
Pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë dalë patrulla policore dhe hetuesit, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e 49-vjeçarit.
Pranë trupit të pajetë është gjetur një armë e shkurtër zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast. Lloji i saj nuk është identifikuar në fazën fillestare të hetimeve.
Siç mëson Sinjali, një familjari ka deklaruar gjithashtu se i ndjeri jetonte i vetëm prej rreth dy vitesh dhe se nuk kishte njohuri nëse ai kishte pasur probleme shëndetësore apo probleme me persona të tjerë.
Në vendngjarje kanë dalë edhe Hetimet Rajonale, ndërsa për rastin janë njoftuar Prokurori kujdestar për Krime të Rënda dhe Kryeprokurori.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ekipi i IML-së ka arritur në vendngjarje dhe ka tërhequr trupin.
Hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


