Friday, September 4, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | 15 qese me kokainë, para dhe peshore digjitale – Ky...

Ekskluzive | 15 qese me kokainë, para dhe peshore digjitale – Ky është 40-vjeçari i arrestuar pas bastisjes në Mitrovicë

Një aksion i Antidrogës në Mitrovicën e Jugut ka përfunduar me arrestimin e një 40-vjeçari dhe sekuestrimin e një sasie të kokainës, e cila dyshohet se ishte ndarë në paketime, merr vesh Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është Blerim Hyseni, i lindur në vitin 1986, ndaj të cilit tashmë është iniciuar rast për veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve.

Aksioni është zhvilluar të enjten, më 3 shtator, rreth orës 21:45, në rrugën “Xhevat Jusufi” në Mitrovicën e Jugut.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, kanë kryer kontroll në një shtëpi në këtë lokacion.

Gjatë kontrollit janë gjetur 15 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme rreth 12 gramë.

Por kjo nuk ishte e gjitha.

Hetuesit kanë sekuestruar edhe 330 euro para të gatshme, një peshore digjitale, një telefon mobil, si dhe një veturë me targa vendore.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Krim-Teknika Rajonale, e cila ka bërë fotografimin dhe evidentimin e provave të sekuestruara.

Hyseni është arrestuar dhe më pas është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për “Blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267 të Kodit Penal.

Me vendim të prokurorit, 40-vjeçari është dërguar në ndalim për 48 orë.

Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT