Friday, August 14, 2026
spot_img
HomeLajmeNga ueb-faqet e paqasshme te mijëra ankesa, kriza e transparencës në institucionet...

Nga ueb-faqet e paqasshme te mijëra ankesa, kriza e transparencës në institucionet publike (VIDEO)

Transparenca e institucioneve publike nuk fillon vetëm atëherë kur një gazetar apo qytetar dërgon kërkesë për qasje në dokumente. Informacionet, vendimet dhe dokumentet publike do të duhej të ishin të qasshme paraprakisht në ueb-faqet zyrtare të institucioneve.

Por prej muajsh, disa institucione publike në Kosovë vazhdojnë të kenë probleme me ueb-faqet e tyre. Në mesin e tyre janë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Agjencia Qendrore e Prokurimit, ndërsa probleme me qasjen në dokumente të vjetra ka edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Agjencia Qendrore e Prokurimit ka thënë për KIKS Kosova se ueb-faqja e vjetër është ndalur për arsye teknike nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe se është duke u punuar në krijimin e faqes së re. Sipas AQP-së, aktivitetet e prokurimit vazhdojnë të jenë publike përmes platformës E-Prokurimi.

Por problemet teknike nuk përfundojnë këtu. OSHP-ja ka pranuar se ka probleme me ueb-faqen zyrtare dhe aktualisht funksionon pa zyrtar të teknologjisë informative. Ndërkohë, Demokraci Plus thotë se problemet me faqen e OSHP-së kanë nisur në dhjetor të vitit 2025 dhe se një pjesë e dokumenteve më të vjetra se gjashtë muaj vazhdojnë të jenë të paqasshme.

Mungesa e dokumenteve online i detyron gazetarët dhe organizatat monitoruese t’i kërkojnë ato veçmas nga institucionet. Por edhe marrja e përgjigjeve përmes kanaleve zyrtare është bërë problem më vete.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, vlerëson se transparenca institucionale ka shënuar rënie dhe thotë se shumë ministri nuk kanë zëdhënës të qasshëm për gazetarët. Gazetarja Qendresa Bellagoshi tregon se mediat shpesh detyrohen të përcjellin agjendën e politikanëve dhe t’i kërkojnë ata fizikisht nëpër ngjarje për t’ua parashtruar pyetjet për të cilat nuk kanë marrë përgjigje përmes rrugëve zyrtare.

Problemet me qasjen në informacion reflektohen edhe në numrin e ankesave.

Të dhënat e Agjencisë për Informim dhe Privatësi tregojnë se nga rreth 145 ankesa në gjashtëmujorin e vitit 2021, numri është rritur në 400, pastaj 600, 800 dhe deri në rreth një mijë ankesa. Vetëm këtë vit janë pranuar 497 ankesa, krahasuar me rreth 420 në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Komisionerja Krenare Sogojeva Dermaku thotë se mbetet shqetësuese mospërmbushja e obligimit ligjor për qasje proaktive -publikimin e dokumenteve nga vetë institucionet, pa qenë e nevojshme që qytetarët apo gazetarët t’i kërkojnë ato.

Në të njëjtën kohë, Agjencia po përballet me mungesë të stafit. Vetëm dy zyrtarë kanë mbetur të angazhuar drejtpërdrejt në shqyrtimin e ankesave, ndërsa për shkak të situatës janë angazhuar përkohësisht edhe zyrtarë nga drejtoritë e tjera.

Kronika nga Kiks Kosova:

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT