Në Kosovë, çmimet e konsumit kanë shënuar rritje prej 7.5%, duke rënduar edhe më shumë jetën e familjeve kosovare.
Ndërkohë, alarmi vjen edhe nga OKB, e cila ka paralajmëruar për një krizë të re globale ushqimore, ku miliona njerëz mund të përballen me uri ekstreme, transmeton Klankosova.tv.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu në emisionin “Ora Shtatë” tha se nëse një vend nuk garanton hapësirë të të mbjellave për ushqim për vitet e ardhshme, atëherë, sipas tij, kjo përbën shqetësim të madh.
“Po e them me plot përgjegjësi se sot në botë nuk vlejnë më rregullat e ofertës dhe kërkesës, shumë më tepër kemi gjeostrategji, gjeopolitik, që po e ngufatin ekonominë. E njëjta gjë është kjo që po ndodh në Ngushticën e Hormuzit. Nuk është vetëm ngritja e çmimit të naftës problem, është kostoja e transportit për shumë mallra, është kufizimi i lëvizjes. Në qoftë se kemi vonesa në transportin për shembull të plehrave të bujqësisë, dhe nuk kemi hapësirë të mjaftueshme të mbjellë që duhet të garantojë ushqim për vitet e ardhshme, vërtetë duhet të jetë shqetësuese”, tha ai në Klan Kosova.
Nga ana tjetër, avokati Armend Shkoza tha se disa vatra të krizave kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejt në situatën e tanishme.
Në Klan Kosova, ai tha se brenga më e madhe është te ekonomitë e vogla, ku bën pjesë edhe vendi ynë.


