Brenda tri ditësh, dy gra humbën jetën në dy ngjarje të rënda që tronditën Kosovën. Njëra ishte 25-vjeçare, shtatzënë në javën e 34-të dhe në prag të një kapitulli të ri të jetës. Tjetra ishte 80-vjeçare. Në të dyja rastet, hetimet janë orientuar drejt dyshimeve për vrasje, ndërsa burrat e viktimave po trajtohen si të dyshuar.
Nga fustani i nusërisë te “qefini”, dy histori familjare përfunduan në tragjedi brenda vetëm tri ditësh.
Jetlira, 25 vjeçare dhe shtatzënë, humbi jetën në Malishevë
Mbrëmjen e 23 gushtit, rreth orës 23:00, Policia u njoftua për një plagosje me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës.
Kur patrullat policore dhe ekipet e Emergjencës mbërritën në shtëpi, Jetlira Foniqi Bytyqi, 25 vjeçare dhe 34 javëshe shtatzënë, dhe bashkëshorti i saj, Egzon Bytyqi, 26 vjeçar, u gjetën të plagosur me armë zjarri brenda dhomës së gjumit.
Të dy u dërguan me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por plagët e Jetlirës rezultuan fatale. Rreth orës 01:10 u konfirmua vdekja e saj.
Egzon Bytyqi mbeti i plagosur rëndë dhe vazhdon të trajtohet si i dyshuar në rast.
Sinjali raportoi ekskluzivisht për jetën e Egzon Bytyqit në Gjermani dhe armën e sekuestruar
Sipas informacioneve ekskluzive të Sinjalit, Egzon Bytyqi kishte rreth katër vite që jetonte dhe punonte në Gjermani, ndërsa në Kosovë ishte kthyer vetëm rreth një muaj para tragjedisë.
Sinjali raportoi ekskluzivisht edhe se familjarët kishin deklaruar para autoriteteve se gjatë qëndrimit në Gjermani ai kishte pasur probleme të shëndetit mendor. Këto janë deklarime të familjarëve të evidentuara në informacionet fillestare të rastit dhe jo konstatime mjekësore të verifikuara.
Detaje ekskluzive të Sinjalit janë publikuar edhe për armën që dyshohet se është përdorur. Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, arma i përkiste babait të Egzon Bytyqit, i cili ka deklaruar para autoriteteve se e posedonte me leje.
Policia e ka gjetur dhe sekuestruar armën në vendin e ngjarjes.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka konfirmuar se Egzon Bytyqi po trajtohet si i dyshuar, ndërsa rasti është iniciuar për “Vrasje të rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Tri ditë më vonë, 80-vjeçarja gjendet pa shenja jete në Prizren
Mëngjesin e 26 gushtit, një tjetër ngjarje e rëndë tronditi vendin.
80-vjeçarja Liza Dushi u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj në rrugën “Rifat Ukimeri” në Prizren, ndërsa bashkëshorti i saj, 81-vjeçari Bardhi Dushi, është arrestuar nën dyshimin për “Vrasje të rëndë”.
Rasti është raportuar rreth orës 01:30. Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi i Urgjencës, ku është konstatuar vdekja e 80-vjeçares.
Në shtëpi ndodhej edhe Bardhi Dushi, i cili është shoqëruar më pas në stacionin policor.
Sinjali raportoi ekskluzivisht për lëndimet në trupin e 80-vjeçares
Sipas informacioneve ekskluzive të Sinjalit, gjatë shikimit të jashtëm të trupit të Liza Dushit janë evidentuar lëndime dhe rrethana të tjera që kanë ngritur dyshimin se vdekja e saj mund të ketë qenë e dhunshme.
Të dhënat që Sinjali raportoi ekskluzivisht tregojnë se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës dyshohet se janë shkaktuar me forcë fizike, përkatësisht me duar.
Deri më tani, nuk ka të dhëna për përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është se, sipas të dhënave policore, në momentin e incidentit çifti ndodhej vetëm në shtëpinë e tyre. Në evidencat e Policisë nuk rezultojnë raste të mëhershme të raportuara të dhunës në familje mes tyre.
Dy gra të vrara brenda tri ditësh, motivet ende mbeten mister
Në Prizren, Prokuroria ka bërë të ditur se Bardhi Dushi dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij duke ushtruar dhunë fizike. Ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa pritet që Prokuroria të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Trupi i Liza Dushit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i cili pritet të ndihmojë në përcaktimin e shkakut dhe mënyrës së vdekjes.
Edhe në rastin e Jetlira Foniqi Bytyqit, trupi i pajetë është dërguar për autopsi, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur atë që ndodhi brenda dhomës së gjumit në Kërvasar.
Dy gra, në dy skaje të ndryshme të jetës. Njëra 25 vjeçare, shtatzënë dhe me një jetë të re që po e priste. Tjetra 80 vjeçare.
Por brenda tri ditësh, të dyja humbën jetën në rrethana që po hetohen si krime të rënda. Në të dyja rastet, burrat e tyre janë të dyshuar.
Ndërsa hetimet vazhdojnë, përgjigjet përfundimtare për atë që ndodhi në dy shtëpitë familjare ende pritet të dalin nga organet e drejtësisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


