Sunday, September 27, 2026
spot_img
HomeLajmeNetanyahu mohon se Egjipti e paralajmëroi për sulmin e Hamasit

Netanyahu mohon se Egjipti e paralajmëroi për sulmin e Hamasit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë raportimin e revistës amerikane “The Atlantic”, sipas të cilit Egjipti e kishte paralajmëruar atë për një sulm të madh që Hamasi po përgatitej ta kryente para 7 tetorit 2023.

Sipas raportimit, kreu i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamel, kishte udhëtuar në Izrael disa ditë para sulmit dhe kishte paralajmëruar autoritetet izraelite se Hamasi po përgatitej për një operacion të madh.

Në një deklaratë të zyrës së Netanyahut, pretendimi është cilësuar si “i rremë” dhe si një përpjekje për të “manipuluar opinionin publik izraelit”.

Sipas “The Atlantic”, Kamel kishte mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion me një avion të çarteruar dhe kishte zhvilluar një vizitë të shkurtër, gjatë së cilës thuhet se kishte paralajmëruar se mundësia për parandalimin e një sulmi të madh të Hamasit po ngushtohej.

Revista amerikane, e cila citon burime në Izrael, Egjipt, vende të tjera arabe, SHBA dhe Evropë, thekson se nuk është e qartë se me cilët zyrtarë izraelitë është takuar Kamel.

Sipas raportimit, ai i kishte kërkuar qeverisë izraelite të bënte lëshime ekonomike ndaj Hamasit, me synimin për të shmangur një përshkallëzim.

Megjithatë, zyra e Netanyahut e kishte mohuar edhe më herët një paralajmërim të tillë. Dy ditë pas sulmit të 7 tetorit, ajo kishte deklaruar se nuk kishte pasur paralajmërim nga Egjipti dhe as kontakt të drejtpërdrejtë apo të tërthortë mes Netanyahut dhe Kamelit.

Raportimi i “The Atlantic” vjen pas një artikulli të gazetës izraelite “Haaretz”, sipas të cilit edhe Emiratet e Bashkuara Arabe e kishin paralajmëruar Netanyahun për një sulm të mundshëm të Hamasit.

Sipas “Haaretz”, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed, i kishte thënë Netanyahut se lideri i atëhershëm i Hamasit, Yahya Sinwar, po planifikonte një sulm. Edhe këtë pretendim zyra e kryeministrit izraelit e ka mohuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT