Wednesday, September 9, 2026
spot_img
HomeLajme“Nëse bie Ceuta, bie Evropa” – qyteti spanjoll kërkon ndihmën e Brukselit...

“Nëse bie Ceuta, bie Evropa” – qyteti spanjoll kërkon ndihmën e Brukselit dhe akuzon Marokun

Një nga pikat më të ndjeshme të Evropës në kufirin me Afrikën po përballet me një krizë të rëndë migrimi, ndërsa presidenti i Ceutës ka ngritur alarmin në Bruksel dhe ka kërkuar masa më të ashpra ndaj Marokut.

Juan Jesús Vivas, presidenti i Ceutës, tha se qyteti është në një situatë kritike dhe paralajmëroi se banorët po jetojnë me frikën e një tjetër fluksi masiv migrantësh.

“Ceuta është në prag të kolapsit”, deklaroi Vivas gjatë vizitës së tij në Parlamentin Evropian.

Ai u takua me tre komisionerë të BE-së dhe disa eurodeputetë, duke kërkuar ndihmë financiare për forcimin e kufirit, menaxhimin e krizës humanitare dhe kthimin e migrantëve që ndodhen në mënyrë të parregullt në qytet.

Në qendër të akuzave të tij ishte Maroku.

Vivas pretendon se Rabati po ndjek një “politikë ngacmimi” ndaj Ceutës dhe kërkoi që Bashkimi Evropian t’i dërgojë një mesazh të qartë autoriteteve marokene.

“Çdo bashkëpunim i frytshëm dhe me përfitim të ndërsjellë fillon me respektimin e kufijve tanë”, tha ai.

Presidenti i Ceutës u distancua gjithashtu nga qasja e qeverisë së kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, duke e akuzuar Madridin se nuk ka reaguar siç duhet para, gjatë dhe pas krizës.

Qeveria spanjolle nuk e ka fajësuar drejtpërdrejt Marokun për ngjarjen. Madridi ka thënë se fluksi masiv është nxitur kryesisht nga lajmet e rreme në rrjetet sociale dhe trafikantët e qenieve njerëzore, ndërsa Rabati vazhdon të konsiderohet një partner i rëndësishëm në luftën kundër migrimit të parregullt.

Ndërkohë, në Ceuta kanë mbetur mijëra migrantë, përfshirë edhe të mitur të pashoqëruar, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Vivas kërkoi që Ceuta dhe Melilla, dy qytetet spanjolle që kanë kufij tokësorë me Afrikën, të kenë një status të veçantë brenda BE-së, për shkak të pozitës së tyre të pazakontë gjeografike dhe presionit migrator.

Ai kërkoi gjithashtu prani të përhershme të Frontex-it dhe Agjencisë së BE-së për Azilin në Ceuta.

Bashkimi Evropian tashmë po financon strategjinë e Marokut për menaxhimin e migracionit me 160 milionë euro deri në vitin 2027.

Megjithatë, Vivas kërkon më shumë mbështetje të drejtpërdrejtë për Ceutën.

Komisioni Evropian ka njoftuar se do të dërgojë një mision teknik në qytet për të vlerësuar situatën.

Duke e përmbledhur shqetësimin e tij me një fjali të fortë, Vivas tha:

“Situata është e paqëndrueshme. Na duhet mbështetja e BE-së për ta rikthyer normalitetin. Nëse bie Ceuta, bie Evropa.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT