Wednesday, September 9, 2026
spot_img
HomeLajmeKGJK me rregulla të reja për gjyqtarët në rrjete sociale: Kujdes me...

KGJK me rregulla të reja për gjyqtarët në rrjete sociale: Kujdes me “like”, miqësitë me avokatë e politikanë – edhe fshirja e postimit nuk i shpëton nga përgjegjësia

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, përmes Komitetit Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore, ka nxjerrë një opinion të ri që vendos standarde të forta për sjelljen e gjyqtarëve në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se edhe një “like”, “share”, koment apo miqësi virtuale mund të ngrejë pikëpyetje për paanshmërinë e gjyqtarit.

Opinioni KKEGJ nr.1/2026, i nxjerrë më 9 shtator 2026, trajton përdorimin nga gjyqtarët të Facebook, Instagram, X/Twitter, LinkedIn, TikTok dhe platformave të tjera, duke u nisur nga parimi se kufiri ndërmjet jetës private dhe funksionit gjyqësor bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u ndarë në hapësirën digjitale.

Dokumenti shkon deri te veprime që në pamje të parë mund të duken krejtësisht të zakonshme në rrjete sociale. Sipas Komitetit, një pëlqim, shpërndarje, koment apo edhe ndjekja e faqeve të caktuara mund të perceptohet si shfaqje e paragjykimit ose anësisë së gjyqtarit.

Një prej pjesëve më të ndjeshme të Opinionit lidhet me raportet virtuale të gjyqtarëve me avokatët dhe politikanët.

Komiteti vlerëson se, në rrethanat e Kosovës, kur një gjyqtar shfaqet si “mik” virtual me një avokat që mbron palë në gjykatën ku ai punon, ose me një politikan që merr vendime për buxhetin e gjyqësorit, publiku mund të krijojë dyshime për paanshmërinë e procesit gjyqësor.

Madje, gjyqtarët udhëzohen që ta rishikojnë dhe “pastrojnë” rregullisht listën e miqve në rrjetet sociale. Komunikimet virtuale me avokatë praktikues, palë të shpeshta në konteste – si përfaqësues të bankave apo institucioneve publike – dhe persona me precedent penal të njohur duhet të evitohen në profilet personale. Si të papërshtatshme konsiderohen edhe komunikimet virtuale me prokurorët që përfaqësojnë lëndë para gjyqtarit konkret.

Rregulla të qarta vendosen edhe për politikën.

Gjyqtarëve u ndalohet shprehimisht të shfaqin përkrahje ose kritikë ndaj partive politike, liderëve politikë, programeve partiake apo kandidatëve për poste publike. Ndalimi, sipas Opinionit, përfshin edhe pjesëmarrjen në sondazhe virtuale, shpërndarjen e drafteve të ligjeve me konotacion politik dhe përdorimin e simboleve politike në fotografinë e profilit.

Komiteti vendos një kufi të prerë edhe për çështjet gjyqësore: gjyqtarët nuk duhet të komentojnë, pëlqejnë apo shpërndajnë postime që lidhen me lëndë aktive para cilësdo gjykatë në Kosovë. Kufizimi shtrihet edhe te rastet e gjykuara së fundmi kur procedura e ankimit është ende e mundshme, si dhe te çështjet ndërkombëtare që kanë ndikim apo ngjashmëri me kontekstin vendor.

Opinioni prek edhe mënyrën se si gjyqtarët paraqesin jetën private.

Sipas dokumentit, nuk lejohen publikime të fotografive apo videove që paraqesin sjellje të pahijshme, konsumim të tepërt të alkoolit, pjesëmarrje në vende që konsiderohen të papërshtatshme me funksionin e gjyqtarit apo një stil luksoz jetese që nuk përkon me të ardhurat legjitime të tij.

Komiteti mbështetet edhe në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se gjyqtarët e gëzojnë lirinë e shprehjes, përfshirë për çështje me interes publik, por funksioni i tyre kërkon vetëpërmbajtje kur mund të vihet në pikëpyetje autoriteti dhe paanshmëria e gjyqësorit.

Dokumenti nuk mbetet vetëm në nivelin e këshillave etike. Sjellja e papërshtatshme në rrjetet sociale mund të prodhojë pasoja disiplinore.

Komiteti thekson se shkelja e Kodit të Etikës Profesionale mund të shërbejë si bazë për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit. Një detaj me rëndësi është edhe paralajmërimi për gjurmët digjitale: fshirja e një postimi të papërshtatshëm pasi ai ka marrë vëmendje publike ose pasi ka filluar hetimi nuk e shkarkon gjyqtarin nga përgjegjësia etike. Screenshot-et dhe arkivat e internetit mund të përdoren si prova në procedurën disiplinore.

Në përfundim, Komiteti përdor edhe një formulim veçanërisht të fortë për standardin që pret nga gjyqtarët në internet:

“Parimi i heshtjes virtuale dhe i vetëpërmbajtjes duhet të jetë rregulla e artë e çdo gjyqtari në Kosovë.”

Komiteti kërkon nga të gjithë gjyqtarët që të reflektojnë mbi praninë e tyre digjitale dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për t’i harmonizuar profilet me standardet e përcaktuara në Opinion.

Opinioni i plotë i Komitetit Këshillëdhënës për Etikë Gjyqësore mund të lexohet këtu.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT