Një prej zjarreve më të mëdha të viteve të fundit në Prishtinë u shoqërua edhe me lëndimin e një zjarrfikësi gjatë intervenimit.
Bashkim Zeneli, pjesë e ekipit të zjarrfikësve, ka treguar se më 2 tetor, gjatë përpjekjeve për shuarjen e zjarrit në Qendrën Tregtare “Arrbi”, ka pësuar lëndim në gisht.
Pas lëndimit, atij i është dhënë ndihma e parë dhe më pas është dërguar në spital.
Zeneli ka falënderuar Drejtorin e Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushticën, Komandantin Malë Gashin dhe Inspektorin Fadil Gashin, të cilët, sipas tij, i dolën menjëherë në ndihmë dhe qëndruan pranë tij gjatë trajtimit.
Ai ka shprehur mirënjohje edhe për ekipin mjekësor dhe pjesëtarët e Policisë për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë.
“Momente të tilla, ku çdo sekondë ka rëndësi, mbështetja dhe solidariteti i kolegëve dhe institucioneve vlerësohen jashtëzakonisht shumë”, ka shkruar Zeneli.
Zjarri në “Arrbi” kishte mobilizuar ekipe të shumta emergjente, ndërsa ndërhyrja zgjati për shkak të përmasave të mëdha të flakëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


