Pas kritikave të shumta, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka mohuar se është ulur mbështetja për bujqit.
Muja ka thënë se sot ka nënshkruar Kornizat Buxhetore të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2026, me një pako rreth 77.5 milionë euro që synon mbështetjen e fermerëve dhe rritjen e prodhimit vendor.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se bujqit do të vazhdojnë të paguhen për hektarë apo krerë në nivele të njëjta si vitet e kaluara.
“Pa ulje të mbështetjes, ndërsa parashihen rritje të targetuara për sipërfaqet e mbjella me pemë dhe perime, si dhe pagesë shtesë për hektarët e parë për të fuqizuar fermat e vogla. Programi kombinon pagesat direkte, investimet në zhvillim rural dhe masat për stabilizimin e tregut, ku përfshihen edhe pagesat për kompensimin e naftës dhe inputeve bujqësore në vlerë prej rreth 8 milionë euro për uljen e kostove të prodhimit”, ka shkruar Muja.
Ndarja e këtyre granteve dhe subvencioneve ka nxitur reagime të shumta.
Ish-ministri Besian Mustafa ka thënë se bujqit duhet të reagojnë.
“Sot VV i dha shkelm bujqësisë në Kosovë! Grantet e subvencionet për bujqit e fermerët i paskan zvogëluar gjithandej. A jeni gjallë bujq, fermer, grumbullues, përpunues? Unë ju njoh për trima që nuk e shtrijnë qafën!”, ka shkruar Mustafa.
Kurse, edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se ministri Muja ka bërë një hapa prapa për vreshtarët.
Latifi ka thënë se me vendimin e ri mbështetja për vreshtarët do të jetë 150 euro për hektar, nga 1100 euro sa ishte.


