Gentrit Murseli, kandidat për deputet nga LDK-ja, ka renditur projektet infrastrukturore që qeveria ka dështuar t’i mbyllë në Gjilan dhe Anamoravë pavarësisht premtimeve nga zgjedhjet e vitit 2021.
Ndër projektet që ai përmendi ishte autostrada që lidh Prishtinën dhe Luginën e Preshevës, stadiumin e qytetit, palestrat e të tjera.
“Unë vij prej Gjilanit, ndryshe prej qyteteve të tjera të Kosovës, komuna e Gjilanit udhëhiqet edhe në nivel qendror edhe në lokal nga i njëjti subjekt politik. Qytetarët e Anamoravës, veçanërisht të Gjilanit, me të drejtë kanë pritur më shumë investime kapitale, sidomos në pesë vitet e fundit. Mirëpo, realiteti është që në të gjitha investimet kryesore kapitale, edhe qeverisja e nivelit qendror, por edhe ajo e nivelit lokal, kanë dështu me e mrri qëllimin”, ka thënë Murseli në Edicionin Special të Klan Kosovës.
“Sot, pas pesë vjetësh qeverisje në nivelin qendror, ne nuk e kemi të përfunduar projektin më të rëndësishëm infrastrukturor, që është autostrada që e lidh kryeqytetin, Prishtinën, me Luginën e Preshevës”.
“Në anën tjetër nuk e kemi të përfunduar as stadiumin e qytetit, që ka qenë premtim kryesor elektoral në fushatën e vitit 2021”.
“Nuk ka përfunduar impianti i ujërave të zeza, nuk kanë përfunduar punimet në palestrën sportive në qendër të qytetit, në palestrën në Zhegër, pra të gjitha projektet kryesore infrastrukturore qeveria nuk ka arritur me i mbyllë këto në pesë vitet e fundit”.


