Friday, May 29, 2026
spot_img
HomeLajmeMourinho rikthehet në Real Madridi, nënshkruan kontratë deri në vitin 2029

Mourinho rikthehet në Real Madridi, nënshkruan kontratë deri në vitin 2029

Jose Mourinho do të jetë trajneri i ri i Real Madridit, duke shënuar rikthimin e tij në “Santiago Bernabeu” pas më shumë se një dekade.

Sipas “The Athletic”, 63-vjeçari tashmë ka nënshkruar kontratën me gjigantët spanjollë, e cila do të jetë e vlefshme deri në vitin 2029, ndërsa prezantimi pritet të bëhet pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në klub.

Portugezi do ta zëvendësojë Alvaro Arbeloan, i cili shërbeu si trajner i përkohshëm pas largimit të Xabi Alonsos në janar, por nuk arriti ta shpëtojë sezonin e Real Madridit, që u mbyll pa asnjë trofe.

Sipas raportimeve, Mourinho së fundmi ishte në krye të Benficës, pas shkarkimit nga Fenerbahce. Edhe pse kontrata e tij në Lisbonë ishte e vlefshme deri në verën e vitit 2027, një klauzolë lirimi në vlerë rreth tre milionë euro e ka bërë transferimin drejt Madridit relativisht të thjeshtë.

Negociatat me Realin janë konfirmuar edhe nga eksperti i transferimeve, David Ornstein, i cili raportoi se bisedimet kanë përfunduar me sukses. Sipas raportit, Mourinho ka nënshkruar një kontratë trevjeçare, ndërsa paga e tij vjetore thuhet se do të jetë rreth 12 milionë euro bruto.

Ky do të jetë mandati i dytë i Mourinhos te Real Madridi. Ai e drejtoi klubin nga viti 2010 deri në 2013, ku në 178 ndeshje zyrtare regjistroi mesatarisht 2.3 pikë për ndeshje dhe në sezonin e parë 2010/11 fitoi titullin e La Ligas, ndërsa Liga e Kampionëve mbeti objektiv i parealizuar.

Reali po kalon një periudhë të vështirë sportive dhe të brendshme. Xabi Alonso ishte sjellë verën e kaluar si “shpresë e madhe”, por nuk arriti t’i bindë yjet e ekipit si Vinicius Junior dhe Kylian Mbappe.

Situata është tensionuar edhe më tej pas largimit të tij. Raportohet për pakënaqësi të thellë brenda skuadrës, përfshirë edhe përplasje mes lojtarëve, ndërsa presidenti Florentino Perez po përballet me kritika të shumta. 79-vjeçari ka hedhur poshtë dorëheqjen dhe do të kandidojë sërish në zgjedhjet e 7 qershorit për mandatin e tij të shtatë në krye të klubit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT